Një aksident i rëndë rrugor, ku u përfshinë një motoçikletë dhe një kamionçinë, ka ndodhur në një autostradë në qytetin Bursa të Turqisë, duke u kthyer në një ngjarje tronditëse që u filmua nga kamera e vendosur në kaskën e motoçiklistit.

Pamjet tregojnë se motoçikleta po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 113 km/orë, ndërsa drejtuesi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ngadalësuar. Për pasojë, ai përplaset fuqishëm me një kamionçinë që ishte ndalur për shkak të trafikut, duke kaluar mbi kabinën e mjetit.

Sipas mediave turke, pavarësisht dhunës së përplasjes dhe pamjeve dramatike, motoçiklisti ka shpëtuar për mrekulli, duke pësuar vetëm fraktura në krahë. Ai është transportuar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.