Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se Bashkimi Evropian ndodhet përballë një zgjedhjeje vendimtare, të shndërrohet në një fuqi globale ose rrezikon të mbetet i pambrojtur dhe të “eliminohet” nga konkurrenca ndërkombëtare.

Në një intervistë për shtatë gazeta evropiane, Macron theksoi se që nga publikimi i raporteve të hartuara nga Mario Draghi dhe Enrico Letta, Kina ka përshpejtuar ndjeshëm rritjen ekonomike, duke arritur një suficit tregtar me pjesën tjetër të botës prej rreth 1.000 miliardë eurosh.

“Nëse Europa mbetet thjesht një treg i hapur në të katër anët, do të shkatërrohet. Europa duhet të vendosë nëse është e aftë të bëhet një fuqi ekonomike, financiare, ushtarake dhe demokratike”, u shpreh Macron.

Sipas tij, aktualisht Europa po shërben si faktor rregullues për pjesën tjetër të botës, pa pasur mjetet e nevojshme për të mbrojtur interesat e veta strategjike, teksa paraqiti katër objektiva kryesore për ringritjen e Bashkimit Evropian.

Së pari, thjeshtimi dhe përfundimi i tregut të përbashkët, për të rritur konkurrueshmërinë dhe efikasitetin ekonomik.

Së dyti diversifikimi tregtar dhe reduktimi i varësive strategjike të krijuara ndër vite, përmes rikthimit të kapaciteteve prodhuese evropiane. Në këtë kuadër, Macron përmendi nevojën për forcimin e rolit ndërkombëtar të euros, përfshirë futjen e euros digjitale dhe zhvillimin e stablecoin-eve në euro.

Së treti promovimi i “preferencës evropiane”, duke vendosur klauzola mbrojtëse në sektorë kyç si industria e çelikut, automobilave, kimisë dhe mbrojtjes, me synimin që prodhimi evropian të ketë përparësi në tregun evropian.

Dhe së fundi investimi në inovacion, të cilin Macron e cilësoi si thelbësor për të ardhmen e kontinentit.

“Shpesh përqendrohemi vetëm te thjeshtimi dhe diversifikimi, duke harruar preferencën evropiane dhe domosdoshmërinë e investimeve të përbashkëta evropiane”, përfundoi presidenti francez.