Evropa duhet të përgatitet për përplasje të mëtejshme me SHBA-në dhe ta përdorë “momentin e fundit të Groenlandës” si një thirrje zgjimi për të çuar përpara reformat ekonomike të vonuara prej kohësh dhe për të forcuar fuqinë globale të bllokut, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron, sipas “Reuters”.

“Evropa nuk duhet ta ngatërrojë “një qetësi” të tensioneve me Uashingtonin me një ndryshim të qëndrueshëm pavarësisht përfundimit të dukshëm të mosmarrëveshjeve mbi Groenlandën, tregtinë dhe teknologjinë”, shtoi Macron.

“Kur ka një akt të qartë agresioni, mendoj se ajo që duhet të bëjmë është të mos përkulemi ose të përpiqemi të arrijmë një zgjidhje. Mendoj se e kemi provuar këtë strategji për muaj të tërë. Nuk po funksionon”, tha presidenti francez për “Le Monde” dhe “Financial Times”.

“Administrata Trump është haptas anti-evropiane dhe kërkon shpërbërjen e BE-së”, tha Macron.

“Në muajt e ardhshëm, SHBA-ja do të na sulmojnë për rregullat digjitale”, shtoi ai – duke paralajmëruar për tarifat e mundshme të importit të SHBA-së nga presidenti Donald Trump nëse BE-ja do të përdorë Aktin e Shërbimeve Digjitale, për të kontrolluar kompanitë e teknologjisë.

Udhëheqësi francez gjithashtu përsëriti thirrjen e tij për huamarrje të përbashkëta të reja, të tilla si euro-obligacionet, duke argumentuar se kjo do t’i lejonte BE-së të investonte në shkallë të gjerë dhe të sfidonte hegjemoninë e dollarit amerikan.

Udhëheqësit e BE-së do të takohen në Bruksel të enjten për një samit ku do të diskutojnë masat për të forcuar ekonominë e BE-së dhe për ta bërë atë më të aftë për t’u përballur me SHBA-në dhe Kinën në skenën globale. 

Macron: BE ka përpara tre beteja për të qënë konkurruese me Kinën dhe SHBA-në

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi një intervistë rreth “doktrinës së tij ekonomike evropiane”, të cilën ai synon ta paraqesë në javët dhe muajt e ardhshëm, veçanërisht në Samitin e Industrisë Evropiane në Antwerp dhe në takimin para-samitit të 27 krerëve të shteteve dhe qeverive mbi konkurrueshmërinë evropiane.

Në intervistën, dhënë për ‘’Le Monde’ dhe gjashtë gazeta të tjera evropiane, Macron bën thirrje për “një borxh të përbashkët të BE-së për të financuar mbrojtjen dhe inteligjencën artificiale”.

“Sot, kemi tre beteja për të luftuar: siguri dhe mbrojtje, teknologji e tranzicionit ekologjik, inteligjencë artificiale dhe informatikën kuantike.

“Në të gjithë këta sektorë, ne investojmë shumë më pak se Kina dhe Shtetet e Bashkuara. Nëse Bashkimi Evropian nuk bën asgjë në tre deri në pesë vitet e ardhshme, ai do të shkatërrohet nga këta sektorë. Dhe nëse duam që ky investim të ruajë tregun e brendshëm dhe të mos e fragmentojë atë edhe më tej, nuk duhet ta hedhim përsëri mbi kombet. Duhet të jetë një investim i përbashkët”, shtoi ai. 

Macron: BE duhet të vendosë nëse do të bëhet një fuqi ose do të rrëzohet

Që kur u botuan raportet e shkruara nga Mario Draghi dhe Enrico Letta, Kina ka përshpejtuar jashtëzakonisht shumë. Tani ajo ka një suficit me pjesën tjetër të botës prej 1 trilion eurosh. Nëse do të mbeteshim një treg i hapur ndaj të katër erërave, do të na rrëmbenin”, theksoi presidenti francez Emmanuel Macron në një intervistë.

‘’Evropa duhet të vendosë nëse do të bëhet një fuqi. Evropa është, në fakt, faktori i përshtatjes për pjesën tjetër të botës. Pyetja është nëse jemi të aftë të bëhemi një fuqi, ekonomikisht, financiarisht, ushtarakisht dhe madje edhe demokratikisht”, shtoi ai.

Presidenti francez shpjegon “katër objektivat” e tij për rilançimin e Evropës

– Thjeshtëzimi dhe përfundimi i tregut të vetëm

– Diversifikimi i tregtisë dhe heqja e riskut nga varësitë e akumuluara gjatë viteve. Bëhet fjalë për rindërtimin e aftësive evropiane, shpjegon ai, për shembull, promovimin e ndërkombëtarizimit të rolit të euros, futjen, ndër të tjera, të euros dixhitale, ose zhvillimin e monedhave të qëndrueshme të denominuara në euro.

– Promovimi i preferencës evropiane. Klauzolat mbrojtëse në sektorin e çelikut. Duhet të kemi një fokus evropian në sektorët evropianë, nga automobilat te kimikatet, nga çeliku te mbrojtja.

– Duhet të investojmë në inovacion. Ne po përqendrohemi në thjeshtim dhe diversifikim.

”Shumë harrojnë preferencën evropiane dhe nevojën për investime evropiane”, përfundoi ai.