Të paktën 10 persona, përfshirë autoren e dyshuar, kanë humbur jetën pas një sulmi me armë në një shkollë të mesme dhe në një banesë private në Kanada. Policia ka konfirmuar se e dyshuara për sulmin është një vajzë.
Sipas Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), gjashtë viktima u gjetën të pajeta brenda shkollës së mesme Tumbler Ridge Secondary School në British Columbia, ndërsa një tjetër ndërroi jetë rrugës për në spital.
Dy persona të tjerë u gjetën më vonë të vdekur në një banesë në të njëjtin qytet, të cilën hetuesit besojnë se lidhet me ngjarjen.
Mbi 25 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre dy në gjendje kritike, të cilët u transportuan me helikopter drejt spitalit.
Policia bëri të ditur se, pasi hynë në ambientet e shkollës, gjetën të pajetë edhe personin që dyshohet si autore e sulmit, me një plagë që ia kishte shkaktuar vetes. Më vonë u konfirmua zyrtarisht se sulmuesja ishte femër, shkruan The Sun.
Zyrtari i RCMP-së, Ken Floyd, tha se hetuesit e kanë identifikuar personin e përfshirë, por nuk dhanë detaje të tjera mbi identitetin e saj.
Ai shtoi se autoritetet po hetojnë lidhjen mes viktimave dhe autores së dyshuar, ndërsa motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.
Qyteti i vogël Tumbler Ridge, me rreth 2,400 banorë, ndodhet më shumë se 600 milje në veri të Vancouverit, pranë kufirit me Albertën. Sipas të dhënave zyrtare, shkolla e mesme ka rreth 175 nxënës nga klasa e shtatë deri në të dymbëdhjetën.





