Momente paniku përjetuan pasagjerët e një fluturimi në Nigeria të mërkurën, pasi dëgjuan një shpërthim dhe më pas panë se një nga motorët e avionit ishte dëmtuar rëndë.

Në videon e regjistruar nga pasagjerët e fluturimit të kompanisë “Arik Air”, shihet motori i majtë i shkatërruar, ndërsa avioni ishte në ajër gjatë itinerarit nga Lagos drejt Port Harcourt.

Si pasojë e situatës, piloti u detyrua të kryente një ulje emergjente në Benin City, ndërsa sipas njoftimeve zyrtare, asnjë nga 80 pasagjerët në bord nuk mbeti i lënduar.

Pasagjerët treguan se gjatë zbritjes dëgjuan një zhurmë të fortë nga ana e majtë e avionit.

Komisioni për Hetimin e Sigurisë së Fluturimeve në Nigeri bëri të ditur se ka nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.