Reperi italian Emilio Finizio, i njohur me emrin e artit “Malacarne”, është arrestuar nga policia në Milano për akuza që lidhen me trafik droge.

Ai rezulton i dënuar më herët me 4 vite e 10 muaj burg për plagosjen me thikë të një futbollisti shqiptar (Aldi Shpijati ) në vitin 2019 – në stacionin e trenit në Scandiano, provinca e Reggio Emilia.

Sipas mediave italiane, 44-vjeçari u ndalua pasi u vu re në zonën e Viale Monza duke pritur një person. Pas një takimi të shkurtër, të dy hynë në një ndërtesë dhe më pas u larguan me makinë, e cila u ndalua për kontroll nga policia në Via Calabria.

Gjatë kontrollit, atij iu gjetën disa gramë kokainë dhe hashash, si dhe rreth 400 euro para të gatshme. Ndërkohë në banesën e tij në Viale Monza policia zbuloi sasi të tjera lëndësh narkotike, mes tyre kanabis, ketaminë, MDMA dhe oksikodon, një peshore elektronike si dhe 1,500 euro.