Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo të diel, kryeministri Edi Rama u prononcua për momentet më kyçe të javës. Ai fillimisht u ndal në protestën e fundit Partisë Demokratike, atë të 10 shkurtit, që u shoqërua me incidente.
Rama u shpreh se pjesëmarrësit në protestë, të cilët shpesh maskohen dhe përdorin mjete të rrezikshme si molotovë, kanë plagosur punonjës të policisë dhe kanë dëmtuar pronë publike dhe madje janë paguar për këtë.
“Kisha shumë kohë, s’mbahet mend pa komentuar ndonjë protestë të opozitës deri kur dy javë më parë pas një përshkallëzimi të dhunshëm bëra një koment për të thënë diçka sa të thjesht, aq dhe të vërtete. Sepse është e vërtetë, në Europë ka protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, antiglobalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj neofashistë që dalin në rrugë për arsyet e tyre. Maskohen, armatosen me molotovë, thyejnë, djegin, plagosin punonjës policie, shkatërrojnë prona. Por qysh nga koha e partive famëkëqija e 100 viteve më parë, atyre në Gjermani dhe në Itali, të cilat i paraprinë pastaj epokës së zymtë sa s’thuhet të fashizmit dhe të nazizmit, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë në programin e aktivitetit të saj pjesë të pandarë të ekzistencës së vet që nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve deri dhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror. Kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve që veshin maska, fshehin fytyrën pas tabelave dhe presin sinjalin për të mbaruar punën për të cilën janë paguar duke hedhur molotov pa u identifikuar nga kamerat sipas planit.
Dhe mercenarët u shfaqën përsëri në krye të kësaj jave dhe bënë dhe më shumë dëm duke kaluar tanimë në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale të përgatitura nga udhëheqja e të ashtuquajturës dhe ndjesëpastës Partisë Demokratike dhe duke plagosur ende më shumë punonjës të policisë deri në shkaktimin e plagëve nga djegia.”, u shpreh kreu i qeverisë.
Kryeministri theksoi se fenomeni nuk është i krahasueshëm me protesta normale në Europë, por përfaqëson një degjenerim të një force politike, e cila ka si qëllim vetëm destabilizimin.
“Është e qartë që këto farë protestash me atë pisllëkun që krijojnë në bulevard, ja shikojini dhe mendojini kështu si po ju them, janë një jashtëderdhje në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon dhe pastaj fërkon duart kur pamjet e jashtëderdhjeve të tij dalin nëpër mediat e huaja duke lënduar imazhin e Shqipërisë dhe duke krijuar idenë se ç’po ndodh në Shqipëri.
Në fakt ajo që po ndodh në raport me sa po themi është një degjenerim i pandalshëm dhe shpërthimi i një dëshpërimi të pa ngushëllueshëm, rezultati rrudhja e mëtejshme e një partie t’i thuash, e një force, se di çfarë force ka më, e një arabeje politike që s’ka asnjë mision, por ka vetëm një funksion, të shkarkojë rropullitë e plakut. Asgjë më shumë, asgjë më pak. Vaj medet pikë e zezë.”, shtoi ai.





