Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 58-vjeçarin që tentoi të grabiste një bankë të nivelit të dytë në Tiranë, paraditen e 12 shkurtit.
Në një deklaratë, avokati i tij mbrojtës Mirash Ndoci u shpreh se i dyshuari, u paraqit në bankë në mes të ditës, i pamaskuar, ka lënë mjetin e tij personal të parkuar përpara bankës, pas daljes nga banka është dorëzuar menjëherë, nuk ka ushtruar rezistencë dhe nuk ka tentuar arratisje, si dhe nuk ka shkaktuar pasoja fizike apo humbje jete.
Avokati theksoi se këto elementë nuk përputhen me tipologjinë e një grabitjeje të organizuar apo të strukturuar profesionalisht, por tregojnë mungesë planifikimi, mungesë strategjie arratisjeje dhe mungesë përshkallëzimi dhune.
“I dyshuari B.F ka deklaruar se ka vepruar në kushtet e një presioni të rëndë financiar, për shkak të detyrimeve të papaguara ndaj punonjësve të tij në një shumë të konsiderueshme. Subjekti tregtar që ai ka administruar rezulton me vështirësi serioze ekonomike dhe detyrime tatimore, çka ka rënduar më tej situatën e tij personale dhe psikologjike.
Mbrojtja vlerëson se kemi të bëjmë me një akt të izoluar, të kryer në një moment tronditjeje të fortë emocionale, dhe jo me një prirje kriminale të qëndrueshme.”, shtoi avokati.
Po ashtu avokati mbrojtës kërkon kryerjen e një ekspertimi psikologjik/psikiatrik “për të vlerësuar gjendjen mendore të tij” në momentin e ngjarjes.





