Superliga e volejbollit për femra ka hapur javën e dhjetë të sezonit të rregullt me ndeshjen ndërmjet Teutës dhe Partizanit në Durrës. Vajzat bregdetare morën një sukses të rëndësishëm, duke i mundur të kuqet me rezultatin 3-1 në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në një takim që zgjati 2 orë. Teuta e nisi mirë, duke kontrolluar setin e parë, të cilin e mori bindshëm në shifrat 25-16. Të kuqet e trajnerit Andi Lundra u rikthyen mirë në setin e dytë, duke fituar 19-25, për të vendosur baraspeshën. I treti ishte edhe seti më i bukur i ndeshjes, i vendosur me disa pikë shtesë, 29-27 për Teutën.
Vajzat e trajnerit Edmond Jazexhi u treguan superiore edhe në setin e katërt, ku triumfuan 25- 21, për të hipotekuar fitoren e dytë sezonale në kampionat. Një sukses i rëndësishëm për durrsaket, të cilat shpresojnë që të lënë zonën “play out” dhe të kapin një vend në para “play off”. Nga ana tjetër, Partizani është në rënie të lirë, me kryeqytetaset që pësuan humbjen e katërt radhazi në kampionat. Braziliania Luisa Tomaz, ishte pika e referimit në ofensivën e Teutës, me 21 pikë të shënuara, mbështetur nga Romina Allamani me 16. Për Partizanin nuk mjaftoi Laryn Pane, autore e 24 pikëve, ndërsa Xhovana Kaçorri shënoi 17.





