Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbërritur sot, 16 shkurt, në Kosovë në kuadër të një vizite zyrtare.

Rama u prit në Presidencë nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Vizita e kryeministrit zhvillohet me qëllim forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe për të diskutuar çështje të rëndësishme të bashkëpunimit.

Gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, Rama pritet të zhvillojë gjithashtu një takim me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si dhe të marrë pjesë në aktivitete të tjera zyrtare.

Kryeministri Rama do të marrë pjesë edhe në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe do të mbajë një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”.

Vizita e kreut të qeverisë vjen një ditë para Ditës së Pavarësisë të Kosovës dhe njëkohësisht protestës që do të bëhet në Prishtinë, në përkrahje të ish-krerëve të UÇK.