Mbingarkesa e krijuar gjatë sezonit veror nga turizmi masiv në ishullin e Kaprit, i ka detyruar autoritetet lokale të vendosin rregulla të reja dhe kufizime të forta.
Kapri ka vetëm 13 mijë banorë, por përballet çdo verë me deri në 50 mijë vizitorë në ditë, çka krijon tension në porte, rrugë dhe atraksione turistike. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, duke nisur nga sezoni i ardhshëm veror do të lejohen të zbresin në ishull vetëm grupe të organizuara me maksimum 40 persona. Vendimi është miratuar njëzëri nga këshilli bashkiak.
Rregullorja e re parashikon gjithashtu që guidat turistike të grupeve me mbi 20 persona nuk do të mund të përdorin më altoparlantë gjatë tureve në qytetin kryesor. Në vend të tyre, do të përdoren kufje me radio, me qëllim uljen e zhurmës dhe shqetësimeve për banorët vendas dhe vizitorët e tjerë. Po ashtu, drejtuesit e grupeve do të identifikohen me bexha në qafë dhe nuk do të lejohen të përdorin mjete të dukshme sinjalizuese, si çadra apo flamuj të vendosur mbi shkopinj. Ata do të kenë detyrimin të mbajnë grupet të bashkuara, të sigurojnë lëvizje të rregullt dhe të shmangin bllokimin e rrugëve dhe shesheve.
Kapri, i vendosur në Gjirin e Napolit, njihet për vilat me mure të bardha, bregdetin shkëmbor dhe atraksione si Grotta Azzurra. Megjithatë, gjatë sezonit të pikut, portet, zonat panoramike të tij dhe monumentet historike mbingarkohen rregullisht.





