A mos ndoshta po përgatitet një rikthim i Luana Vjollcës në Top Channel? Deri tani, nuk ka një njoftim zyrtar, por disa detaje, të vendosura njëra pas tjetrës, krijojnë një tablo interesante.
Së fundmi, Luana Vjollca promovoi brandin e saj të veshjeve në “Big Brother VIP Albania”. Gjatë prime-it, Ledion Liço u shpreh: “Përshëndesim Luana Vjollcën nga studio e Big Brother dhe i themi që e duam shumë.”
Luana e ripostoi momentin dhe shkroi: “Edhe unë ju dua shumë”, duke bërë tag Ledionin, Sarën dhe Lori Hoxhën. Një përshëndetje miqësore? Sigurisht. Por edhe një sinjal se marrëdhëniet mes saj dhe Top Channel janë të mira.
“Sigurisht që do rikthehem në ekran”
Në shtator 2025, e pyetur në Instagram nëse do të rikthehej në ekran, Luana u përgjigj: “Sigurisht që do rikthehem në ekran sepse nuk di si të jetoj pa ju…” Ajo nuk dha asnjë plan konkret, por deklarata ishte e qartë: rikthimi do të ndodhë. Pyetja është: ku?
Një histori që nisi në Top
Luana u largua nga Top Channel në vitin 2021, pas 15 vitesh në atë ekran. Asokohe, ajo u shpreh se Top Channel do të mbetej gjithmonë “shtëpia ime, ku u rrita dhe u zhvillova për 15 vite”.
Pas largimit, Luana prezantoi “ZemërLuana” dhe “Love Island” në TV Klan, ndërsa së fundmi moderoi “Ferma VIP” në Vizion Plus. Megjithatë, këtë vit “Ferma VIP” thuhet se do të prezantohet nga Arbana Osmani, një tjetër detaj që, natyrshëm, nxit pikëpyetje për hapin e radhës të Luanës.
Promovimi i brandit në “Big Brother VIP”, përshëndetja publike nga Ledioni, ripostimi i Luanës me tone miqësore, deklarata e saj për rikthimin në ekran etj., të gjitha bashkë lënë hapësirë për interpretim.
Për momentin, gjithçka mbetet në kuadrin e leximit “midis rreshtave”, si dhe disa thashethemeve që qarkullojnë brenda Top Channel. Anabel nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion nga burime të sigurta brenda televizionit.
Por nëse ka diçka që e dimë me siguri, është se rikthimet ndodhin pikërisht kur publiku fillon të dyshojë.





