Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kryer një telefonatë me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Përmes një statusi në Facebook, Rama ka ndarë një pjesë nga biseda me Thaçin, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë, ku po përballet me akuza për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.

“Prej vitesh telefonata e urimit të 17 shkurtit nga Haga është e vështirë emocionalisht, por sot Komandanti ishte si asnjëherë i qetë në zërin e tij, duke ma përsëritur dy herë, në fillim e në fund, ‘Unë e kam fituar përjetë lirinë dhe kudo të ndodhem atë nuk ma merr dot kurrë askush!’”, shkruan Rama.

Thaçi po gjykohet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, nën akuza që lidhen me periudhën e luftës së viteve 1998–1999 dhe rolin e tij si një nga drejtuesit e Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Ai i ka mohuar të gjitha akuzat.