Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, në një konferencë për mediat, ka diskutuar mbi aksesin në financë për fermerët, mbi paketat e reja të përfitimeve për ta, sigurinë ushqimore, si dhe kompensimin për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet.

Ai u ndal te risia në skemën e bujqësisë, ku deklaroi se ministria do të japë 7–10 mijë euro grante për të rinjtë që hapin biznes në blegtori.

“Kemi diskutuar për të vendosur për të rinjtë dhe të rejat nga 18 vjeç deri në 35 vjeç, mundësinë që ne t’u japim nga 7 deri në 10 mijë euro. Po e shqyrtojmë me financat për të diskutuar mbështetjen financiare, për të përllogaritur çdo të ri që hap një biznes kryesisht në blegtori, të jetë pjesë e mbështetjes tonë. Pra, ne duhet të fusim rolin e të rinjve dhe të rejave që të jenë pjesë e këtij sistemi të rëndësishëm për ne, që të mbështesim këtë sektor, të cilin duhet ta rrisim, dhe të rinjtë e të rejat të jenë pjesë e kësaj pakete, që do ta vendosim në formë granti, që ata të jenë pjesë e saj”, tha Salla.

Sa i përket kompensimit të fermerëve të përmbytur, ministri tha se do të nisë së shpejti.

“Ne kemi qenë në terren bashkë me emergjencat civile, Ministrinë e Bujqësisë, por edhe bashkitë e vendit, për të verifikuar dhe për të pasur informacion në kohë reale, si dhe mbështetje ndaj atyre fermerëve që janë prekur kryesisht në territor. Qoftë te blegtoria, ku kemi çuar një paketë mbështetje për ushqimin e kafshëve, por edhe për familjet që u prekën nga përmbytjet, të cilat kanë marrë mbështetje të menjëhershme nga institucionet si bashkia apo edhe AKMC-ja.

Kemi krijuar një grup të përbashkët midis Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, dhe shumë shpejt do të kalojmë te mbështetja e tyre. Çdokush do të mbështetet sipas procedurave që do të vendosim. Shumë shpejt do të dalim me një raport të përbashkët. Jemi duke punuar edhe me Ministrinë e Financave për sigurimin e bujqësisë, sigurimin e fermave dhe të gjithë bizneseve të procesit bujqësor, në mënyrë që të shmangim problematika të kësaj natyre”, u shpreh Salla.

Ministri më tej u ndal te siguria ushqimore, krijimi i laboratorëve të rinj, si dhe te bletaria, si sektor i rëndësishëm.