Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke hedhur poshtë akuzat ndaj tij dhe duke theksuar se veprimtaria e tij gjatë luftës ka qenë në mbrojtje të popullit të Kosovës.
Në deklaratën e tij para trupës gjykues, Thaçi akuzoi ish-presidentin serb Slobodan Millosheviç si “të vetmin njeri që po bënte plane për një gjenocid tjetër”, duke shtuar se ishte detyruar të largohej nga Kosova për shkak të ndjekjes nga regjimi i Beogradit.
“I vetmi njeri që po bënte plane ishte Millosheviçi, për një gjenocid tjetër. Unë u detyrova që ta lëshoja Kosovën, sepse regjimi i Millosheviçit më kishte ndjekur. Po i njëjti regjim në mungesë do të dënojë presidentin Clinton, edhe sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe shumë të tjerë. Duke parë masakrat e popullit tim, nuk mund të rrija indiferent, vendosa që të kthehesha në Kosovë.”
Ai theksoi se, përballë masakrave dhe vuajtjeve të popullit shqiptar, nuk mund të qëndronte indiferent dhe për këtë arsye ishte kthyer në Kosovë, pavarësisht rrezikut për jetën e tij dhe të familjes.
“Nuk mund të qëndroja indiferent, ku populli im po shfarosej. Të njëjtën gjë do të bënit edhe ju nëse populli juaj do të përjetonte atë që përjetoi populli im. Për këtë jam shumë krenar. Është ofendim, për kujtimin e mijëra heronjve që dhanë jetën për lirinë, është ofendim për dhjetëra mijëra viktimave të vrarë gjatë masakrave.”
Thaçi e cilësoi procesin si ofendim për kujtimin e mijëra të rënëve dhe viktimave civile të luftës, si dhe për aleatët ndërkombëtarë, përfshirë NATO, me të cilët tha se kishte bashkëpunuar ngushtë. Ai deklaroi se gjatë luftës nuk kishte qenë i sigurt nëse do të mbetej gjallë “nga ora në orë”, duke mohuar se ishte kthyer për të marrë kontrollin e Kosovës, por për t’i shërbyer lirisë së vendit.
“Është ofendim edhe për aleatët e NATO-s që unë bashkëpunova ngushtë. Është e rëndë ta dëgjosh këtë akuza, ku veçanërisht gjatë luftës unë nuk e dija nëse do të isha gjallë nga ora në orë, nga dita në ditë, nuk isha i sigurt nëse do të shikoja gruan dhe djalin tim të sapolindur dhe kjo më të ushtroja kontroll mbi Kosovës. I vetmi kundërshtar i Kosovës ishte Millosheviçi. Unë nuk u ktheva për të rrezikuar jetën për të kontrolluar Kosovën.”





