Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kundërshtoi akuzat e Prokurorisë në Hagë, duke thënë se e vërteta është e kundërta e asaj që ajo e ka thënë për të në gjykatën speciale.

“Kjo Prokurori më thuri shumë lavde e më ndau shumë tituj e grada, por e vërteta është krejt tjetër. Unë nuk isha ai që e transportova rezistencën nga Perëndimi në Kosovë, unë iu bashkova rezistencën në Kosovë. Nuk ishte kthimi im nga Perëndimi pse UÇK-ja po masivizohej, arsyeja ishte Millosheviqi. Askush më bukur nuk e ka thënë këtë sesa ish-sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Madeleine Albright, citoj: ‘Millosheviqi me sjelljet e tij ndaj popullit të Kosovës është rekrutuesi më i madh i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’”, shtoi Thaçi.

Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte shteti, nuk ishte ushtri e një shteti, por ishte organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor.

“Fakti që UÇK-ja nuk ishte organizuar ashtu siç Prokuroria pretendon se ishte, nuk e zbeh aspak rolin e saj për lirinë e Kosovës, nuk e bën kauzën e saj për çlirim më pak fisnike e as arritjen e pavarësisë më pak historike. Fitorja e Kosovës ishte më shumë politike e diplomatike.

Suksesi më i madh i Kosovës ishte bashkëpunimi i plotë dhe besimi me Perëndimin. Ata na ndihmuan pikërisht sepse e dinin se kush ishin dhe çfarë qëllimi kishin. Unë me asnjë çmim, në asnjë rrethanë, nuk do ta rrezikoja këtë aleancë me asgjë në këtë botë, sepse ashtu do ta rrezikoja vetë lirinë e Kosovës dhe ekzistencën tonë kolektive”, theksoi ai.

“Synimi ynë ishte paqja, e jo lufta”, nënvizoi Thaçi.

“Shumë akuzat që kam dëgjuar në këtë sallë, i kam dëgjuar edhe në fushatat zgjedhore në Kosovës. Është e dhimbshme që kjo gjykatë synon të hedhë poshtë dëshmitë e gjithë atyre që ishin bashkë me ne në terren.

Kjo prokurori pretendon që unë i kam udhëhequr në lajthitje gjatë luftës. Kjo prokuroi më nënçmoi më shumë nga sa e meritoj. Asnjë i akuzuar në Kosovës për krime luftë ne Kosovë, nuk ishte arratisur. Gjatë gjithë jetës sime unë isha në mbrojtje të popullit të Kosovës, duke u udhëhequr nga idealet e pavarësisë dhe të drejtësisë”, tha Hashim Thaçi.

Sa i përket raportit të ish-senatorit zviceran, Dick Marty, për dyshimet trafikim me organe, i cili çoi në themelimin e Speciales, ai tha se: “E vërteta e atij raporti është se propaganda ruse dhe serbe manipuloi Dick Martyn. Ai ra viktimë e fushatës së tyre, ata e ushqyen me informacione të rreme dhe në fund tentuan ta vrisnin për të na fajësuar neve”.

Sipas tij, qëllimi ishte të diskreditohej pavarësia e Kosovës.