Rexhep Selimi, në fjalën e tij në gjyqin që po mbahet në Hagë, theksoi se historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet në një sallë gjyqi. Ai shtoi pyetjen se çfarë duhet të bënin qytetarët kur Serbia nuk e fshehu kurrë qëllimin e saj ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe vrau njerëz, si dhe zbatoi spastrim etnik dhe gjenocid në vend.
Ai theksoi se UÇK nuk ishte një parti politike por një ushtri çlirimtare. Selimi theksoi se Prokuroria po kërkon dënime të rënda, aq të gjata sa synojnë të ndalojnë kthimin e tyre në Kosovë. Por, ai shtoi se Prokuroria duhet ta kishte kuptuar se kurdo që të kthehet, do të kthehet në një Kosovë të lirë.
“UÇK nuk ishte parti politike. Madje edhe nëse lufta në Kosovë nuk do të ndalje në Kosovë në ‘99 dhe do të vazhdonte deri sot, unë ende do të isha ushtari i atdheut tim nëse nuk do të isha vrarë deri më tani pasi gjasat ishin reale. Bëmë gjënë e duhur dhe sot do të bëj të njëjtën gjë. Prandaj NATO na mbështeti, dhe vendet tuaja. Prokuroria në dosjen e saj kërkon dënimin të rënda. Aq të gjata sa më thelb synojnë të na ndalojnë përgjithmonë kthimin në vendin tonë. Koha se kur do të kthehem në Kosovë është në dorën tuaj por prokuroria duhet të ishte kuptuar që kurdo që të kthehem, do të kthehem më Kosovën e lirë”, tha Selimi.
Më tej, shtoi se për të dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së duhet të jepet në bazë të provave dhe jo pretendimeve. Drejtësia, theksoi Selimi, duhet të jetë ajo që duhet t’u mundësojë kthimin e tyre në atdhe, duke shtuar se ndihet me fat që ka bërë diçka të mirë për vendin e tij.
“Gjatë luftës, ndodhin shumë gjëra, ka kaos, frikë, dhimbje të akumuluara ndër vite. Lufta lë gjithmonë pasoja dhe viktimat e saj. Viktimat kanë nevojë për drejtësi. Drejtësia që nuk mbështetet mbi të vërtetën i lëndon viktimat për herë të dytë. Vendimet të mbështeten në atë që është provuar, jo në atë që është pretenduar. Në fund, dua t’i falënderoj ekipet tona të mbrojtjes dhe ekipin tim, në mbrojtjen e së drejtës. Dua t’i falënderoj bashkëqytetarët tanë që besojnë te pafajësinë tonë. Mbështetja e tyre ka bërë që këto pranga të mos i ndjej si barrë. Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të mirë për veten e tyre, janë njerëz me fat dhe unë jam njëri prej tyre”, tha ai.





