Banorët e një pallati 13 katësh në lagjen nr.17 në Durrës kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë së qytetit bregdetar.

Pallati i ndërtuar nga firma “Drenova sh.p.k.” me pronar ish-deputin socialist, Hazir Gashi pësoi dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit dhe Instituti i Ndërtimit e klasifikoi në shkallën DS4 ndërsa Këshilli Bashkiak në nivelin DS3, thonë banorët.

Ata mbeten të paqartë për procedurat që do kryhen në vijim dhe për këtë kanë kërkuar sqarim nga kryetarja e bashkisë Emirjana Sako.

“Gjithë problemi ishte nëse ne lidhim kontratën e marrjes së përfitimit të grantit për DS3, a do të vazhdojë procesi i akt-ekspertizës së thelluar edhe marrjes së bonusit të qirasë?”, thotë një banore ndërsa shprehet se nga ana e bashkisë ju është thënë se do të kryhet një preventiv nga studio të licensuara, sipas ligjit, për të përcaktuar masën e dëmtimit, dhe në varësi të kësaj të fundit do të kryhen veprimet e tjera.

Granti që jep qeveria për të riparuar dëmet në nivel DS3 është 500 mijë lekë, shumë kjo që sipas banorëve nuk i mbulon dëmet që kanë pësuar banesat e tyre apo ambientet e përbashkëta, si ashensori, shkallët, tarraca etj.

“Ato lekë nuk mjaftojnë për t’i shembur muret, jo më për t’i bërë edhe riparuar dëmet që ka. Për më tepër që pallati ka dëme strukturore të mëdha sipas Institutit të Ndërtimit. Kërkon përforcim bazamenti, përforcim truolli…”, shprehet një tjetër.

G.D.