Ish-financieri amerikan Jeffrey Epstein dyshohet se fshehu kompjuterë, kaseta video dhe “manuale për skllevër seksualë” në dhoma sekrete magazinimi në një përpjekje për t’iu shmangur hetimit që kishte nisur ndaj tij. 

Gazeta The Telegraph e zbuloi këtë, duke deklaruar se një inventar i një depoje në Palm Beach, i marrë me qira përmes agjencisë Riley Kiraly, liston tre kompjuterë, 29 libra adresash, një listë masazhatoresh në Florida, foto të grave të zhveshura që besohet të jenë viktima, revista pornografike, kaseta dhe DVD që seksualizojnë adoleshentët, si dhe një kasetë video me imazhe seksuale.

Në vitin 2005, Epstein, i cili vdiq në vitin 2019 pasi u dënua për abuzim seksual dhe trafikim të fëmijëve, pagoi hetues privatë për të hequr sende nga rezidenca e tij para kontrollit. Ish-Shefi i Policisë së Palm Beach, Michael Reiter, i cili ishte përgjegjës për hetimin, tha se “vendi u pastrua”.

Inventari i objektit të magazinimit zbulon për herë të parë sendet që Epstein nuk donte të gjendeshin gjatë hetimit për krime seksuale ndaj fëmijëve. Këto përfshijnë dy manuale trajnimi për skllevër seksualë, lodra seksi, të brendshme, mbi 2,000 dollarë në para të gatshme, një licencë për armëmbajtje të paligjshme dhe një kartë identiteti të Harvardit.

Kopje të hard disqeve të ruajtura në objektin e magazinimit në Palm Beach u gjetën në rezidencën e Epstein në New York pas arrestimit të tij në vitin 2019, por kompjuterët origjinalë nuk u gjetën kurrë.

Autoritetet dyshojnë se Epstein ishte informuar për bastisjen. Emailet tregojnë se Epstein urdhëroi vazhdimisht stafin e tij dhe hetuesit privatë të fshinin kompjuterët dhe të shkatërronin kasetat në vitet para arrestimit të tij në vitin 2019.