Qeveria britanike ka thënë se nuk ka “pauzë” në marrëveshjen e saj me Ishujt Chagos, pavarësisht se një ministër u tha më parë deputetëve se Mbretëria e Bashkuar se po “pezullonte” procesin e miratimit të legjislacionit për të transferuar kontrollin e territorit te Mauritiusi.
Një burim qeveritar tha se “nuk ka pauzë, ne nuk kemi vendosur kurrë një afat dhe afatet do të shpallen në mënyrën e zakonshme”.
Ministri i Zyrës së Jashtme, Hamish Falconer, u përgjigj pyetjeve të deputetëve kur tha se Mbretëria e Bashkuar po e “ndërpriste” procesin ndërsa zhvilloheshin “diskutimet” me Shtetet e Bashkuara.
Ky veprim vjen pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kërkoi Kryeministrit Sir Keir Starmer të anulonte marrëveshjen javën e kaluar, pavarësisht se më parë kishte shprehur mbështetje për traktatin.
Ishujt Chagos, të njohur zyrtarisht si Territori Britanik i Oqeanit Indian, ndodhen në Oqeanin Indian dhe Britania i ka kontrolluar ato që nga fillimi i shekullit të 19-të.
Marrëveshja parashikonte që Mbretëria e Bashkuar t’ia lëshonte sovranitetin e territorit Mauritiusit dhe të paguante një kosto mesatare prej 101 milionë paundësh në vit për të marrë me qira një bazë të përbashkët ushtarake Britani-SHBA në ishullin më të madh.
Mbretëria e Bashkuar është në proces të miratimit të legjislacionit për të ratifikuar marrëveshjen dhe të mërkurën, Falconer u përball me pyetje në lidhje me këtë në Dhomën e Komunave.
“Pati mbështetje nga administrata amerikane për këtë traktat, i cili nuk ka ndryshuar. Është e qartë se kohët e fundit ka pasur një deklaratë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, e cila është shumë domethënëse. Dhe siç i thashë Dhomës së Komunave, tani po i diskutojmë këto shqetësime drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara. Kemi një proces që po kalon nëpër Parlament në lidhje me traktatin.Do ta sjellim këtë çështje përsëri në Parlament në kohën e duhur. Po ndalojmë për diskutime me homologët tanë amerikanë”, tha Falconer.
Në komentet e mëparshme në Dhomën e Komunave, Falconer tha se marrëveshja po kalonte në Parlament në mënyrën normale.
Më parë, zëdhënësi i kryeministrit u tha gazetarëve se qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar nuk kishte ndryshuar dhe fokusi ishte në “diskutimet me SHBA-në mbi hapat e ardhshëm”.
Marrëveshja është vënë në dyshim nga Presidenti Trump, i cili javën e kaluar postoi në platformën e tij Truth Social për t’i kërkuar Sir Keir të mos “e dhurojë Diego Garcia-n”, ku ndodhet baza ushtarake Britani-SHBA.
Trump tha se “kjo tokë nuk duhet t’i merret Mbretërisë së Bashkuar” dhe e quajti marrëveshjen “një dëm për aleatin tonë të madh”.
Komentet erdhën pavarësisht se Departamenti Amerikan i Shtetit i dha mbështetjen e tij zyrtare planit të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar një ditë më parë.
Departamenti Amerikan i Shtetit tha se nuk kishte asgjë për të shtuar, pas komenteve të Falconer në Dhomën e Komunave.





