Khloé Kardashian ka folur së fundmi për frikën që ndjen ndaj Inteligjencës Artificiale, duke treguar se edhe videot e krijuara me IA ku shfaqet babai i saj i ndjerë duke e puthur në ballë, e bëjnë të ndihet në siklet.
Në episodin e 25 shkurtit të podcastit të saj, Khloé in Wonder Land, 41-vjeçarja u shpreh: “Kam tmerr nga IA. Jam e sigurt që njerëzit mendojnë se është e lezetshme, por edhe videot e babait tim duke më puthur në ballë më japin pak të dridhura. Nuk mund ta shpjegoj. Është thjesht e çuditshme.”
Babai i saj, Robert Kardashian, ndërroi jetë në shtator të vitit 2003 nga kanceri i ezofagut, në moshën 59-vjeçare, kur Khloé ishte vetëm 19 vjeç.
Ajo theksoi se shpeshherë has në internet video të motrave të saj dhe e ka të vështirë të dallojë nëse janë reale apo të manipuluara me Inteligjencë Artificiale. “Shpesh them: ‘Prit, a e the vërtet këtë?’ Dhe nëntë herë nga dhjetë nuk janë ato. Është IA. Kjo është e frikshme,” u shpreh ajo, duke shtuar se familja e saj kontakton krijuesit për të kërkuar heqjen e materialeve të rreme.
Khloé u ndal edhe te shqetësimi i saj për ruajtjen e të dhënave dhe zhvillimin e pakontrolluar të teknologjisë. “Jam pjesë e një brezi në tranzicion. Interneti ishte tashmë mjaftueshëm i frikshëm për mua. Nuk mund të përballoj asgjë më shumë,” deklaroi ajo.
Në të njëjtin episod, ajo foli edhe për mënyrën si menaxhon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët e saj, True 7-vjeçare dhe Tatum 3-vjeçar. Ajo tha se planifikon t’i japë vajzës një telefon në moshën 12-vjeçare, por nuk beson se fëmijët duhet të kenë rrjete sociale para moshës 16 ose 17 vjeç.
“Shpresoj që fëmijët e mi të dëshirojnë gjithmonë ndërveprimin njerëzor,” përfundoi Khloé Kardashian.





