Fytyra e një mbrëmjeje që mund të hynte në histori mban emrin e Edon Zhegrova. Juventusi ishte vetëm një goditje larg një përmbysjeje epike, por rasti i artë i anësorit kosovar në fundin e kohës së rregullt mbeti një plagë e hapur Bardhezinjtë, në avantazh 3-0 dhe të aftë për ta çuar sfidën në kohën shtesë edhe pas një përjashtimi të diskutueshëm, patën në këmbët e Zhegrovës topin e 4-0.

I vetëm përballë portierit kundërshtar, me portën gjysmë të zbrazët, sulmuesi anësor e dërgoi sferën jashtë kuadratit. Një episod që mund të kishte ndryshuar fatin e mbrëmjes.

Rasti ishte edhe më i bujshëm për faktin se ish-lojtari i Lille ishte ndër më të freskëtit në fushë dhe arriti në finalizim në kushte ideale. Në përfundim të sfidës, shokët e skuadrës u përpoqën ta mbështesin. Kapiteni Manuel Locatelli theksoi në intervistat pas ndeshjes se gabime të tilla janë pjesë e lojës.

Megjithatë, bilanci i Zhegrovës mbetet zhgënjyes. I transferuar në Torino më 1 shtator mes entuziazmit të madh, ai ende nuk ka arritur të lërë gjurmë: zero gola dhe zero asistime në 19 paraqitje. Shumë driblime dhe pak konkretizim,  një lojtar që shpesh zgjedh spektaklin mbi efikasitetin.

Duhet theksuar se Zhegrova mbërriti në Itali jo në formën më të mirë fizike, pas një dëmtimi të gjatë me Lille. Kjo mund të justifikonte javët e para, por jo paraqitjet gjashtë muaj më vonë. Investimi prej 14.3 milionë eurosh plus bonuse dhe kosto shtesë pritej të sillte më shumë ndikim.