Gjykata Themelore në Prishtinë këtë të mërkurë u ka caktuar nga një muaj paraburgim dy serbëve të arrestuar një ditë më parë në komunën e Zubin Potokut, nën dyshimet për krime lufte.

“Gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, pasi ekziston rrezik real që nëse të pandehurit lihen në liri, mund të arratisen me qëllim të fshehjes dhe ikjes nga përgjegjësia penale, po ashtu duke marr parasysh se të pandehurit janë edhe shtetas të Serbisë, ekziston rreziku real që të arratisen lehtë dhe të jenë të pa arritshëm për organet e drejtësisë, me çka do të pamundësohet sigurimi i prezencës së tyre dhe do të pengohej rrjedha normale e procedurës penale”, thuhet një njoftim.

Dy serbët e identifikuar me inicialet M.J., dhe M.B. u arrestuan në Zubin Potok pak orë para nisjes së gërmimeve me dyshimet për ekzistimin e një varreze masive me trupat e 23 civilëve shqiptarë, të rrëmbyer në prill 1999.