Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një intervistë për Sky News, deklaroi se është i gatshëm të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për bisedime dhe se do të bëjë gjithçka për të arritur paqen.

Ai theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë fuqinë për të ndalur këtë luftë, por duhet të ushtrojnë presion më të madh mbi Moskën. “SHBA janë më të fuqishme nga sa mendojnë për veten e tyre. Ata kanë ndikim real mbi Putinin. Mund ta ndalojnë këtë luftë,” tha Zelensky.

Presidenti ukrainas bëri thirrje për sanksione më të forta ndaj familjeve të elitës ruse dhe furnizim të Ukrainës me sisteme më të avancuara armësh, duke theksuar se vetëm presioni i shtuar mund të detyrojë Moskën të marrë seriozisht negociatat.

Përsa i përket afatit për paqen, Zelensky përmendi një “dritare mundësie” nga tani deri në zgjedhjet e mesme amerikane në nëntor. “Tani kemi një mundësi. Çfarë do të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm varet nga këta muaj. Nëse mund të arrijmë paqen para zgjedhjeve të rëndësishme në SHBA, kjo është koha jonë,” tha ai.

Duke folur për mundësinë e fitimit të luftës, Zelensky u shpreh me kujdes: “Varet çfarë kuptojnë njerëzit me ‘fitim’. Është shumë e vështirë të flasim për territore. Të rimarrim të gjithë tokën sot është shumë e vështirë dhe do të ketë humbje të mëdha jete njerëzore. Por e mira është se Rusia nuk mund të avancojë në terren, ndaj ata nuk fitojnë dhe ne nuk humbasim.”

Ai u shpreh gjithashtu se dorëzimi i qyteteve të fortifikuara, si Sloviansk dhe Kramatorsk, do të ishte “linjë e kuqe”: “Kjo është toka jonë. Nëse largohemi, 200,000 njerëz atje do të bien nën pushtimin rus. Kush tha se ata duan të bëhen rusë? Nëse nuk duan, do të vriten ose do të dërgohen në front apo në burg.”

Zelensky foli edhe për marrëdhënien e tij me Donald Trump, duke e përshkruar si “jo të thjeshtë”, por nënvizoi se marrëdhënia e Ukrainës me SHBA-të tejkalon individët.