Aktori i humorit Albano Bogdo ka ndarë një rrëfim të rrallë dhe shumë personal në ‘Grida Duma Podcast’, duke folur për divorcin e prindërve dhe barrën që ndjeu mbi supe që në fëmijëri.
Bogdo tregoi se ndarja e prindërve erdhi vetëm gjashtë muaj pas vdekjes së gjyshit të tij, një periudhë e rëndë për familjen.
“Jo, nuk e kisha pritur. Nuk dallohej në shtëpi”,tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së moderatores nëse kishte shenja të krizës në familje.
Sipas tij, i ati ishte një njeri korrekt dhe shumë gjakftohtë.
“U çua një ditë dhe iku. Tha ‘nuk jam i lumtur, jam i lumtur diku tjetër’ dhe bëri zgjedhjen e tij. Kush jam unë ta gjykoj? Nuk po e gjykoj, thjesht po tregoj çfarë ndodhi”, u shpreh Bogdo.
Aktori rrëfeu se momenti më i vështirë ishte reagimi i rrethit shoqëror. Në vend të mbështetjes, ai u përball me pritshmëri të rënda për moshën që kishte.
“Vinin të gjithë dhe më thanë: ‘tani je burri i shtëpisë, duhet t’i vësh shpatullat shtëpisë’. Unë s’kisha mbushur 12 vjeç. Isha shumë i vogël për t’i vënë shpatullat shtëpisë. “T’i vije shpatullat shtëpisë do të thoshte të filloje punë e të lije shkollën. Nuk kishte zgjidhje të mesme.”
Një nga momentet më prekëse të intervistës ishte kur foli për marrëdhënien me të ëmën.
“I thashë: çfarëdo që të ndodhë, ne do jemi shokë të ngushtë derisa të vdesë njëri nga ne. Unë nuk do të të lë asnjëherë vetëm”, rrëfeu ai. Sipas Bogdos, vitet pas divorcit ishin të vështira ekonomikisht dhe emocionalisht, por e formësuan si njeri dhe si artist.





