Kina i dënoi ashpër sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit që i kushtuan jetën udhëheqësit suprem iranian, Ali Khamenei, duke e cilësuar atë si “shkelje flagrante të sovranitetit”.

Ministria e Jashtme kineze deklaroi se janë shkelur parimet themelore të Kartës së OKB-së. “Vrasja e hapur” e një kreu shteti sovran dhe nxitja për ndryshim të regjimit janë të papranueshme, e ka cilësuar ministri kinez i Jashtëm Wang Yi në një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Sulmet ndodhën ndërsa SHBA dhe Irani ishin në mes të negociatave. Sipas një raporti të agjencisë kineze të lajmeve Xinhua, Lavrovi raportohet se ka rënë dakord me argumentin e homologut të tij kinez. Ndërkohë, kritikë erdhi edhe nga Koreja e Veriut, aleate e Kinës dhe Rusisë. Pheniani foli për një “akt të paligjshëm agresioni” dhe “dënoi me forcë aktin e paturpshëm dhe të pabesë nga SHBA dhe Izraeli për të kënaqur ambiciet e tyre egoiste dhe hegjemonike.”

Pekini shkoi deri aty sa të fliste hapur për një “ligj të xhunglës” amerikan, sipas të cilit diplomacia lejohet si në natyrë të egër, nëse është e nevojshme në mënyrë arbitrare me bomba dhe raketa. Fakti që forcat e armatosura të SHBA-së arrestuan presidentin venezuelian Nicolás Maduro në rezidencën e tij gjatë një operacioni ushtarak në janar dhe e gjykuan në Nju Jork është shumë shqetësues për Pekinin.

“Viti 2026 nuk ka nisur saktësisht mirë,” tha presidenti kinez Xi Jinping në një bisedë me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Kina tani tyhotë se dëshiron të forcojë Kombet e Bashkuara dhe në të njëjtën kohë, po kërkon aleancë me Europën.

Ekspertët thonë se sulmet e fundit i japin Kinës një mundësi të favorshme për të krijuar  një klimë armiqësore ndaj Shteteve të Bashkuara dhe kështu të sfidojë pretendimet e saj për lidership global.