Bursa dhe kontratat e ardhshme të ‘Wall Street’ ranë ndjeshëm të martën, ndërsa investitorët u shqetësuan se konflikti SHBA-Iran mund të zvarritej më gjatë nga sa mendohej fillimisht, duke shtuar pasigurinë gjeopolitike.
Kontratat e ardhshme të Dow Jones ranë me 806 pikë, ose rreth 1.7%. Kurse të S&P 500 ranë me 1.8%, ndërsa të Nasdaq 100 ranë me 2.3%. Indeksi i paqëndrueshmërisë VIX – i ashtuquajturi indeksi i frikës – është “shkuar” në një nivel rekord tremujor prej 25.56, informon “Newmoney”.
Reagimi pasoi një sulm me dron ndaj ambasadës amerikane në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite. Donald Trump ka paralajmëruar se konflikti mund të zgjasë më shumë se katër javët e parashikuara fillimisht.
Gjatë fundjavës, operacionet e përbashkëta ushtarake amerikane dhe izraelite çuan në vdekjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Çmimet ndërkombëtare të naftës vazhdojnë të rriten, ndërsa rritet frika për ndërprerje të infrastrukturës energjetike dhe një rritje të re të çmimeve të karburantit, me një ndikim të drejtpërdrejtë në inflacion.
Sipas mediave iraniane të cituara nga ‘Reuters’, një komandant i Gardës Revolucionare tha se Ngushtica e Hormuzit – “arteria” detare më e rëndësishme në botë për transportimin e naftës bruto – është mbyllur dhe se çdo anije që përpiqet ta kalojë atë do të jetë në shënjestër.
‘Brent’ është forcuar me 8%, ndërsa kontratat e ‘West Texas Intermediate’ shënuan gjithashtu një rritje të ngjashme.





