Arsyeja e vërtetë pse Donald Trump vendosi të sulmonte Iranin të premten në mbrëmje është se Netanyahu e telefonoi dhe i tha se të shtunën në mëngjes udhëheqësi suprem Khamenei dhe këshilltarët e tij do të takoheshin në një vend të caktuar në Teheran: ata mund të vriteshin me një sulm të vetëm.

Ish-shefi i CIA-s dhe sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta, e kishte paralajmëruar këtë dje në një intervistë për Corriere. Tani e konfirmon edhe faqja Axios, bazuar në burime të Shtëpisë së Bardhë, duke shpjeguar se biseda vendimtare për nisjen e luftës ndodhi në një telefonatë më 23 shkurt me Trump të lidhur nga Situation Room (kompleks i menaxhimit të inteligjencës që ndodhet në katin përdhes) të Shtëpisë së Bardhë.

Objektivi ishte i parezistueshëm për dyshen Trump dhe Netanyahu. Presidenti amerikan ishte tashmë i prirur për një sulm, pasi ishte koordinuar për muaj të tërë me kryeministrin izraelit, duke u takuar dy herë dhe duke folur 15 herë në telefon gjatë dy muajve të fundit.

Ata kishin marrë në konsideratë një sulm edhe javën e kaluar, por vendosën ta shtynin për arsye inteligjence dhe motit të keq. Telefonata e fundit dha shtytjen vendimtare.

CIA verifikoi informacionin e dhënë nga izraelitët dhe e konfirmoi të enjten më 26 janar, të njëjtën ditë kur negociatat në Gjenevë të Steve Witkoff dhe Jared Kushner nuk shkuan siç dëshironin amerikanët. Në fjalimin për gjendjen e Unionit më 24 shkurt, presidenti vendosi të mos fokusohej shumë tek Irani për të mos trembur ajatollahun dhe për ta shtyrë të ndryshonte planet e tij.

Sipas Pentagonit, urdhri për sulm u dha nga Trump të premten ndërsa ishte në një fluturim drejt Teksasit për një miting në orën 15:38 pasdite (sipas orës lokale). Në orën 16:29 një gazetar në Air Force One (avionin presidencial) e pyeti nëse kishte marrë një vendim për sulmin. Trump u përgjigj: “Preferoj të mos e them. Do të kishit skupin më të madh të historisë”.