Një nëndetëse ka sulmuar një anije luftarake iraniane në brigjet e Sri Lankës, duke lënë të paktën 101 persona të zhdukur dhe 78 të plagosur, thanë burime të marinës dhe të Ministrisë së Mbrojtjes,  për ‘Reuters’ të mërkurën.

Burimet thanë se të paktën 101 persona janë të zhdukur dhe 78 të plagosur në sulmin ndaj fregatës ‘IRIS Dena’.

Informacionet e para flasin për një nëndetëse iraniane që ka goditur fregatën, duke e bërë këtë një aksident, por lajmi është i pakonfirmuar ende.

Më parë, autoritetet lokale folën për shpëtimin e 32 marinarëve “të plagosur rëndë” në bordin e fregatës iraniane, rreth 40 kilometra në jug të ishullit, ndërsa Ministri i Mbrojtjes tregoi se anija ishte fundosur.

Fregata me 180 anëtarë të ekuipazhit kishte dërguar një sinjal rreziku në agim.

Ushtria e Sri Lankës njoftoi se kishte shpëtuar të paktën 30 persona në bordin e një anijeje iraniane që po fundosej pranë ujërave të Sri Lankës të mërkurën. Lajmin e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm i vendit, para parlamentit.

Marina e Sri Lankës nisi një mision shpëtimi pas një thirrjeje për ndihmë nga anija iraniane, tha një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes më herët të mërkurën.

Ministri i Jashtëm Vijitha Herath nuk dha detaje të mëtejshme, por tha se Sri Lanka do të ndërmarrë veprimet e duhura.