Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, CIA, po punon për të armatosur forcat kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje popullore në Iran. Të paktën kështu raporton CNN, duke cituar disa burime të njohura me planin.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka biseduar me grupe opozitare iraniane dhe me liderë kurdë në Irak për t’u ofruar atyre mbështetje ushtarake.
Grupet e armatosura kurde iraniane kanë mijëra forca që veprojnë përgjatë kufirit Irak–Iran, kryesisht në rajonin e Kurdistanit të Irakut. Disa prej këtyre grupeve kanë lëshuar deklarata që nga fillimi i luftës, duke u bërë thirrje forcave ushtarake iraniane të dezertojnë.
Garda Revolucionare e Iranit ka ndërmarrë sulme ndaj grupeve kurde dhe ka njoftuar se kishte shënjestruar forcat e tyre me dhjetëra dronë.
Të martën, presidenti Trump ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e Partisë Demokratike të Kurdistanit të Iranit, Mustafa Hijri, sipas një zyrtari të lartë iranian.
Sipas të njëjtave burime, forcat opozitare kurde iraniane pritet të marrin pjesë në një operacion tokësor në Iranin Perëndimor, në ditët në vijim.
“Ne besojmë se kemi një shans të madh tani”, tha burimi, ndërkohë që milicitë presin mbështetjen e SHBA-së dhe Izraelit.
Trump gjithashtu ka telefonuar udhëheqësit kurdë të Irakut për të diskutuar operacionin ushtarak amerikan në Iran dhe se si SHBA-të dhe kurdët mund të bashkëpunojnë ndërsa misioni përparon.
Çdo përpjekje për të armatosur grupet kurde iraniane do të kërkonte mbështetjen e kurdëve të Irakut, për të lejuar kalimin e armëve dhe përdorimin e Kurdistanit të Irakut si bazë nisjeje.
Ideja është që forcat e armatosura kurde të përballen me forcat iraniane të sigurisë dhe t’i mbajnë të angazhuara, në mënyrë që iranianët e paarmatosur në qytetet e mëdha të mund të dalin në protesta pa u masakruar, siç ndodhi gjatë trazirave në janar.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë për pasoja, pasi armatosja e milicëve mund të destabilizojë më tej rajonin dhe të minojë sovranitetin e Irakut.





