Masoud Pezeshkian ka reaguar publikisht përmes platformës X me një deklaratë drejtuar liderëve të vendeve mike dhe fqinje, ku thekson se Irani ka kërkuar të shmangë luftën përmes diplomacisë, por sipas tij, “agresioni ushtarak amerikano-sionist” e ka detyruar vendin të mbrohet. 

Në mesazhin e tij, ai nënvizon respektin për sovranitetin e shteteve të tjera dhe thekson se siguria dhe stabiliteti rajonal duhet të arrihen përmes bashkëpunimit.

“Madhëritë tuaja, Kryetarë Shtetesh të vendeve mike dhe fqinje, ne kemi kërkuar me ju, nëpërmjet diplomacisë, të shmangim luftën, por agresioni ushtarak amerikano-sionist nuk na ka lënë zgjidhje tjetër veçse të mbrohemi. Ne e respektojmë sovranitetin tuaj dhe besojmë se siguria dhe stabiliteti i rajonit duhet të arrihen nëpërmjet përpjekjeve kolektive të kombeve të tij”, shkruan presidenti iranian.