Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Mandateve do ta prezantojnë raportin për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut si deputete në seancën e 12 marsit.
Opozita ka paraqitur më herët raportin e saj, ndërsa ka akuzuar socialistët se po tentojnë të “djegin” afatin 3 mujor për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv kryeministres.
“Sipas rregullores, Grupet parlamentare janë të detyruara brenda dy javësh të paraqesin raportin. Palët në Këshillin e Mandateve me opinionet e tyre duhet të paraqiten raportin brenda dy javësh. Raporti duhet të përmbajë mendimet e të gjitha palëve. Kemi vendosur në këshill dy relatorë. 5 deputetët e opozitës e kanë paraqitur raportin ndërkohë deri më 9 mars bëhen dy javë, brenda së cilës përfaqësuesit e maxhorancës janë të detyruar të sjellin raportin. Në seancën e radhës, 12 mars, do të paraqitet raporti në atë seancë. 9 është afati për të paraqitur raportin, dhe sipas rregullores, në seancën e radhës është 12 mars.
Afati 3 mujor është 16 por para asaj date kemi një seancë. Në lidhje me pretendimet e disa deputetëve në lidhje me ndryshimet në rregullore, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar nuk ka procedurë të përshpejtuar, kemi disa propozime nga grupi i PS, që do të ndjekim procedurën normale, janë paraqitur pranë Këshillit të Mandateve, janë mirëpritur të gjithë deputetët të sjellin sugjerimet e tyre. Do të ftoj në ditët në vijim kryetarët e grupeve parlamentare për të shkëmbyer mendime për këto propozime.”, tha ai.
Opozita më herët kërkoi ndryshimin e rendit të ditës të seancës së sotme dhe përfshirjen e votimit për t’i hequr imunitetin Ballukut, e cila më herët u shkarkua nga posti i zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.





