Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një takim me gratë dhe vajzat me rastin e 8 marsit. Ai i uroi ato teksa shtoi se janë kontributoret më të mëdha të zhvillimit të shoqërisë.

“Kontributi i juaj, kontributi i gruas shqiptare është i shumëfishtë krahasuar me kontributin e burrave, djemve dhe ky është një realitet sot. Sot kontributi i tyre në zhvillimin e një shoqërie ka qenë rreth dy herë më i madh se sa i burrave sepse ju përballeni 24 orë me punën në profesionet tuaja, por edhe punën në familjet tuaja që është një kontribut real për gjithë shoqërinë”, tha Berisha.

Sipas tij, detyrimet ndaj grave janë të pakufijshme.

“Muri i patriarkisë është dhunuesi më kryesor i të drejtave të njeriut kudo në botë. Beteja kundër këtij muri është beteja më fisnike, është beteja më e rëndësishme e njeriut për barazi, për dinjitet, për të drejta njeriu. Ky mur pesë mijëvjeçar duhet shembur dhe gratë vajzat dhe të gjithë ata që besojnë se në forcën e jashtëzakonshëm dhe rolin e tyre në familje dhe shoqëri duhet të bëjnë çdo gjë që këtu mur ta zvogëlojnë çdo ditë e më shumë”, tha Berisha.

“Pa vendosur barazinë mes burrit dhe gruas, vëllait dhe motrës, nënës dhe babait shoqëria nuk mund të jetë kurrë një shoqëri e drejtë, një shoqëri e parimeve dhe idealeve të larta njerëzore”, shtoi kryedemokrati.

Berisha deklaroi se sot ata që dëmtohen më së shumti nga ajo që ai e quan regjim, janë gratë dhe vajzat.

Ndër të tjera Berisha akuzoi Ramën se është kryeministri më mizogjen.

“Kryeministër më mizogjen, as Shqipëria, as Europa nuk ka patur se Edi Rama. Këtë ta kemi shumë të qartë. Ai është simbol i mizogjenizmit”, tha Rama.