Ulsi Manja ka deklaruar se kallëzimet në Prokurorinë e Posaçme për Belinda Ballukut janë bërë nga Lulzim Basha në vitin 2024 dhe Gazment Bardhi në 2025. Gjatë fjalës së tij para grupit socialist, Manja ka deklaruar se Kuvendi nuk ka kompetenca për të gjykuar fajësinë apo të zëvendësojë Gjykatën.
Por ka theksuar se Kuvendi gjykon vetëm respektimin e procedurave nëse kërkesa është bërë me natyrë politike apo jo.
‘Kur janë rënduar nevojat e sigurimit ose kur masat nuk janë respektuar. Rasti i dytë përjashtohet në këtë rast pasi Balluku e ka respektuar. Ngelet vetëm rëndimi i masave të sigurimit për shtimin e episodeve të veprës penale, rrezikun e ikjes, kryerjen e një vepre më të rëndë penale apo prishjen e provave. Raporti i referohet këtyre kërkesave. Kuvendi nuk ka kompetencë të gjykojë fajësinë dhe as të zëvendësojë Gjykatën. Nuk gjykojmë fajësinë apo provat, por vlerësojmë respektimin e procedurave, nëse kërkesa është bërë me natyrë politike. Fakti nëse kërkesa është bërë me natyrë politike, Balluku nuk pati pretendime për një kërkesë të motivuar politikisht, por Këshilli konstaton një fakt publik, kallëzimi i parë i bërë në gusht 2024 është bërë nga Lulzim Basha, ish kreu i PD. Kallëzimi i dytë është bërë nga Gazment Bardhi. Në 2025, procedimet janë bashkuar në një të vetme që mban një numër unik procedimi në bazë të të cilës po zhvillohen hetimet,’ tha Manja.





