Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një nga destinacionet turistike më interesante në Evropë. Sipas gazetës britanike “The Sun”, vendi ynë po konsiderohet një “destinacion sekret” i Mesdheut, ku vizitorët mund të gjejnë detin e kaltër, qytete antike dhe mikpritje të ngrohtë, me kosto shumë më të përballueshme se në vendet e tjera të rajonit.
Artikulli thekson se udhëtimi në Shqipëri nis shpesh nga kryeqyteti, Tirana, një qytet që sipas medias britanike surprizon turistët me energjinë krijuese, artin e rrugës dhe jetën e gjallë të kafeneve. Zona e Bllokut, dikur e rezervuar për elitën komuniste, sot është një nga qendrat më të frekuentuara të jetës së natës.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme për vizitorët është Berati, qyteti i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i njohur për arkitekturën karakteristike dhe shtëpitë e bardha osmane të vendosura njëra mbi tjetrën në shpatin e kodrës. Qyteti njihet edhe si “qyteti i një mbi një dritareve”, ndërsa vizitorët mund të qëndrojnë brenda mureve të Kalasë së Beratit dhe të përjetojnë atmosferën historike të zonës.

Artikulli ndalet edhe tek tradita kulinare dhe agroturizmi në zonën e Beratit, ku turistët mund të degustoјnë verën dhe të prezantohen me prodhimet tradicionale vendase.

Për ata që kërkojnë diell dhe det, destinacionet bregdetare mbeten ndër më të preferuarat. Ndërsa shumë turistë zgjedhin Sarandën, gazeta sugjeron edhe Vlorën si një alternativë më të qetë.
Sipas The Sun, Shqipëria po zhvillohet me ritme të shpejta, me rrugë të reja bregdetare dhe investime në turizëm. Megjithatë, një pjesë e bukurisë së saj mbetet fakti që ende konsiderohet një destinacion relativisht i pazbuluar.
Nga qytetet historike me kala mbi kodra, te gjiret e qeta pranë detit dhe traditat autentike, Shqipëria po kthehet në një përvojë unike për vizitorët nga e gjithë bota. Një vend që, sipas medias britanike, ofron aventurë, histori dhe mikpritje – në një udhëtim që mbetet gjatë në kujtesë.





