Në kulmin e debatit publik mbi drejtësinë, e cila po përballet me akuza se është represive dhe kryen arrestime në masë, Gjykata e Lartë ndërmerr iniciative për të reformuar nëpërmjet një vendimi unifikues, procedurën e caktimit të masës së sigurimit “arrest në burg”.

Me një vendim të ndërmjetëm, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, zbret për diskutim në Kolegjet e Bashkuara një nga çështjet konkrete kërkon njehsimin e praktikës gjyqësore, lidhur me caktimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj zyrtarëve që po hetohen për korrupsion apo personave të tjerë që janë në konflikt me ligjin.

Sadushi analizon rastin e një të dyshuari për çështje droge, që fillimisht është lënë në arrest me burg nga Gjykata e Lezhës, ndërsa më pas Apeli e ka liruar në arrest shtëpie. Prokuroria ka ushtruar rekurs për rastin në fjalë dhe kërkon rikthimin e tij në burg, përderisa pretendon se shkalla e dytë e gjyqësore nuk ka analizuar si duhet kushtet dhe kriteret mbi të cilat ka vlerësuar prokurori dhe ka kërkuar masën më të ashpër që parashikon ligji, privimin nga liria.

Rasti konkret sipas Sokol Sadushit, nuk paraqet interes vetëm për zgjidhjen e rastit individual, por ngre nevojën për të vlerësuar nëse praktika e konsoliduar nga vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011, duhet të vijojë të mbahet në të njëjtin kuptim apo kërkon rishqyrtim të pjesshëm.

Në arsyetimin e tij, Sadushi sjell në vëmendje disa vendime të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, një prej të cilëve ai për Thoma Gëllçin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Televizionit Publik shqiptar, mbajtja e të cilit nën masën e arrestit me burg u konsiderua një shkelje e të drejtave themelore të tij.

Në vendimin që mban firmën e Sokol Sadushit, analizohet që për të privuar një person nga liria duhet plotësisht disa kushte, sikurse janë dyshimet e arsyeshme që ai ka kryer një vepër penale, rrezikshmëria që ai paraqet, rreziku nëse tenton t’i shmanget ose jo drejtësisë, apo ai që lidhet me prishjen e provave apo intimidimin e dëshmitarëve.

Kolegjet e Bashkuara do t’i japin përgjigje pyetjes se “a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit” si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?

E duket se pikërisht këtu qëndron dhe kleçka, pasi në të ardhmen zyrtarët e lartë mund të përfitojnë nga kjo lëvizje, sepse të gjithë të nesërmen mund të pretendojnë se nuk përbëjnë rrezik dhe për rrjedhojë do të kërkojnë lirimin nga paraburgimi. /Panorama