Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar kërkesën e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shuarjen e masës së pezullimit nga detyra, pasi është marrë e pandehur nga SPAK.
Balluku kishte paraqitur sot, më 13 mars 2026, një kërkesë pranë gjykatës me objekt revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, e cila i ndalon ushtrimin e funksioneve të larta shtetërore si zv.kryeministre e Republika e Shqipërisë dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Masa ndaj saj ishte vendosur nga Gjykata e Posaçme, ndërsa në kërkesë ajo kërkonte gjithashtu konstatimin e shuarjes apo rënies së kësaj mase sigurimi.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Erjon Çela vendosi rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga e pandehura.
Ndërkohë, kujtojmë se Belinda Balluku tashmë është shkarkuar nga kryeministri Edi Rama nga të dyja postet që mbante, ajo e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Kërkuesja (e pandehura) Belinda Balluku me datë 13.03.2026 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Revokimin e menjëhershëm të masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv. Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë)”, të caktuar ndaj kërkueses me Vendimin Nr. 118, dt.19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Konstatimin e shuarjes/rënies së kësaj mase sigurimi personal me karakter ndalues.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 260/1, 262/2 dhe 267 të K.Pr.Penale, me vendimin nr. 229 datë 13.03.2026, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (të pandehurës) Belinda Balluku.
2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita njoftimit të vendimit të gjykatës.
Tiranë, më datë 13.03.2026
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar






