Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, rikthehet edhe njëherë në pikën zero të përballjes me drejtësinë. Gjykata e Apelit vendosi sot të prishë vendimin e Shkallës së parë dhe të rikthejë çështjen në Gjykatën e Posaçme.

Tashmë fillon një etapë e re për ish-ministrin dhe përballjen e tij me drejtësinë, që krijon jo pak problematika sa i përket karrierës së tij politike.

Në momentin që Gjykata e Posaçme e Apelit merr vendimin, automatikisht dosja voluminoze e Tahirit rikthehet në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Më pas, caktohet trupa e re që do të shqyrtojë dosjen dhe Prokuroria do të vijojë, duke kërkuar dënimin e Tahirit për akuzën e trafikut të drogës në kuadër të grupit kriminal “Habilaj”. Ndërkohë, Tahiri do të përballet me Gjykatën e Posaçme në mënyrë të përshpejtuar, ku nëse nuk paraqiten problematika gjatë procesit, do të duhen jo më shumë se 3 apo 4 seanca.

Përballja e ish-ministrit me drejtësinë rifillon nga e para.