62 persona përfshirë tetë fëmijë, kanë humbur jetën nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet që goditën kryeqytetin e Kenias, Nairobi dhe zona të tjera. Kryeqyteti ishte më i godituri me 33 vdekje teksa paralajmërohet për situatë të rrezkishme edhe në vijim.
Të paktën 62 persona kanë vdekur në Kenia gjatë javës së kaluar, pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje të gjera bëjnë me dije autoritetet.
Gjatë natës, 11 persona u shpëtuan pasi një minibus-taksi, i njohur në vend si matatu, u bllokua ndërsa uji u rrit në Nairobi. Sipas Kryqit të Kuq të Kenias, dy fëmijë u shpëtuan nga një shtëpi e përmbytur.
Reshjet e dendura të shiut gjatë javës së kaluar kanë shkaktuar përmbytje të menjëhershme që nuk janë parë prej vitesh. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur shtëpitë dhe duke dëmtuar rrugët, linjat e energjisë dhe të ujit.
Disa rrugë janë mbyllur pasi urat u dëmtuan në Nairobi, ndërsa disa shkolla u përmbytën gjithashtu pas rrebeshit të së shtunës.
Ministria e Brendshme paralajmëroi të dielën se pjesë të ndryshme të vendit po vazhdonin të përjetonin shira të rrëmbyeshëm, duke rritur rrezikun e përmbytjeve.
Autoritetet u kanë kërkuar banorëve në zonat e ulëta të zhvendosen në terrene më të sigurta dhe më shumë se 2,000 njerëzve u është dashur të largohen nga shtëpitë e tyre për të kërkuar strehim.
Policia thotë se operacionet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë.
Presidenti Ëilliam Ruto tha të dielën se furnizimet emergjente me ushqim dhe ndihma mjekësore po u dorëzoheshin të prekurve.
Ai tha gjithashtu se autoritetet po pastronin sistemet e bllokuara të kullimit.
Përmbytjet nuk kanë prekur vetëm Kenian.
Më shumë se 100 njerëz janë vrarë në Etiopinë fqinje pas përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të tokës në jug të vendit.
Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytje, por një atmosferë më e ngrohtë e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i bën reshjet ekstreme më të mundshme.
Bota është ngrohur tashmë me rreth 1.1 gradë Celsius që nga fillimi i epokës industriale dhe temperaturat do të vazhdojnë të rriten nëse qeveritë në të gjithë botën nuk bëjnë ulje të ndjeshme të emetimeve.





