Kroacia po rikthen shërbimin e detyrueshëm ushtarak pas 17 vitesh, në një kohë kur tensionet e sigurisë në Evropë janë shtuar për shkak të luftërave në rajone të ndryshme.Vendimi i qeverisë synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, ndërsa të rinjtë do të duhet të kalojnë një trajnim bazë dymujor në kazermat ushtarake.

Në mesin e të rinjve që do të thirren për shërbim është edhe 18-vjeçari Leon Dejanovic, një influencer i njohur në rrjetet sociale nga qyteti Karlovac. Ndërsa stërvitet fizikisht në qytetin e tij, ai thotë se shërbimin ushtarak e sheh edhe si një mundësi për t’u shkëputur për një kohë nga jeta e tij dixhitale.“Po e pres shërbimin ushtarak kryesisht për t’u larguar pak nga kjo botë. Sinqerisht, mezi pres të jem për një kohë pa telefonin tim, sepse për shkak të punës jam gjithë ditën në telefon. Atje do të kem mundësi të jem gjithmonë me njerëz të tjerë”, pohoi Dejanovic.

Dejanovic mori njoftimin për shërbim në fillim të këtij viti.“Në janar postieri erdhi në shtëpinë time dhe sinqerisht kjo më habiti dhe më trembi pak. Mora një njoftim për shërbim ushtarak ku thuhej se duhej të paraqitesha për kontroll mjekësor në shkurt. Bëmë analiza, EKG, test dëgjimi, shikimi dhe një test psikologjik. I kalova të gjitha dhe më thanë se duhet të paraqitem për shërbim në maj”, tha ndër të tjera Dejanovic.

Megjithatë, edhe pse është gati për trajnimin, ai shprehet kundër luftës dhe uron që aftësitë që do të mësojë të mos përdoren kurrë në një konflikt real.“Bota është e çmendur dhe shpresoj që të mos shkojë drejt luftës. Unë jam kundër luftës, mendoj se është gjëja më e pakuptimtë që njerëzimi ka shpikur. Po përgatitemi për situata të tilla, por shpresoj që të mos ndodhin”, pohoi gjithashtu influenceri.

Ndryshe nga ai, shoku i tij Josip Franjo Cvitesic nuk e sheh me të njëjtin entuziazëm shërbimin ushtarak. 19-vjeçari punon në një fabrikë armësh dhe thotë se një thirrje për ushtri mund të ndikojë në punën dhe të ardhurat e tij.“Nuk kam marrë ende një thirrje për ushtri, por sinqerisht jam kundër. Thjesht nuk më duket e arsyeshme. Nuk besoj se është për të gjithë”, tha Cvitesic, punonjës fabrike armësh.

Ai shton se nëse do të detyrohej të shërbente, do të preferonte variantin më të shkurtër të mundshëm.“Nëse më thërrasin, ndoshta do të bëja shërbimin më të shkurtër të mundshëm. Për punëdhënësin tim nuk do të ishte mirë edhe paga do të ishte më e ulët se ajo që marr tani, kështu që për mua nuk do të vlente shumë”, shton ndër të tjera Cvitesic.

Sipas autoriteteve kroate, rreth 800 rekrutë do të nisin trajnimet e para këtë javë, ndërsa çdo vit planifikohen të thirren rreth 4 mijë të rinj. Programi përfshin trajnime në aftësi bazë mbijetese, vetëmbrojtje, ndihmë të parë dhe përdorimin e dronëve.Ekspertët thonë se vendimi lidhet me situatën e pasigurt të sigurisë në Evropë.

“Sot ndodhemi në një situatë shumë sfiduese sigurie. Nuk ka një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj Kroacisë, por nuk e dimë si do të zhvillohen luftërat në botë. Prandaj ka kuptim që të rinjtë të kalojnë një trajnim bazë ushtarak, të mësojnë aftësi të tilla dhe përdorimin e teknologjive si dronët, të cilat janë shumë të rëndësishme në luftën moderne,” deklaroi Andriana Bencic Kuznar, pedagoge e sociologjisë në Universitetin e Zagrebit.Me rikthimin e këtij sistemi, Kroacia i bashkohet një grupi prej dhjetë vendesh të NATO-s që kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak. Nëse për disa të rinj kjo shihet si një detyrë e nevojshme për sigurinë kombëtare, për të tjerë mbetet një vendim i diskutueshëm që mund të ndikojë në jetën dhe planet e tyre për të ardhmen.