Ish-banorja e edicionit të tretë të “Big Brother VIP Albania”, Sara Gjordeni, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me kuizin e zhvilluar së fundmi brenda shtëpisë.

Ajo ka ndarë përvojën e saj personale nga izolimi, duke theksuar se qëndrimi për një kohë të gjatë në kushte të tilla ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e kujtesës dhe përqendrimit. Sipas saj, formati i “Big Brother VIP Albania” nuk është vetëm një spektakël argëtues, por mbi të gjitha një eksperiment social që teston reagimet dhe aftësitë e individëve në izolim.

Në reagimin e saj, Gjordeni shpjegon se pas disa javësh brenda shtëpisë, edhe gjërat më bazike bëhen të vështira për t’u kujtuar. Ajo ka sjellë shembuj konkretë nga përvoja e saj dhe e banorëve të tjerë, duke përmendur se shpesh harronin emra, numra telefoni apo edhe detaje të thjeshta të përditshmërisë.

Postimi i plotë i Sarës:

“Po, ndonjëherë është injorancë ama mos harroni: Big Brother u krijua si eksperiment social jo si show, kjo për të parë pasojat e izolimit, ndër të parat e cila është humbja e memories qoftë edhe për gjërat më bazike.

Pas 3 javësh Bardhi nuk mbante mend as tekstet e këngëve të veta kur vendoseshin.

Unë nuk mbaja mend emrat e zysheve të mia gjatë një bisede, e as numrin tim të telefonit.

Kishim vështirësi të gjithë pas muajit të parë të kujtonim edhe emrin e ndonjë gatimi specifik apo fjalë në gjuhë të huaj.

Edhe vetë sfida kërkon të pasqyrojë këtë; Cili banor ruan kujtesën më të fortë pas gati 90 ditëve izolim, jo cili është më i padituri.

Vini re se si gjithmonë bëhet pasi ka kaluar një kohë e konsiderueshme, jo pas 2/3 javëve izolim.

Mos gjykoni pa e provuar si eksperiencë në lëkurë”.