Nga Aldo Mustafa

Në një mbrëmje ku vëmendja globale është e përqendruar tek Academy Awards, është pikërisht pas-eventi luksoz Vanity Fair Oscar Party ai që prej vitesh shndërrohet në arenën më të rëndësishme të modës. Dhe këtë vit, në mesin e emrave më të përfolur, një vëmendje e jashtëzakonshme u përqendrua te Olandria Carthen, e cila u shfaq me një krijim të stilistit shqiptar nga Kosova, Pajtim Raci.

Paraqitja e saj nuk ishte thjesht një zgjedhje estetike, por një moment i mirëkuruar arti, ku dizajni, trupi dhe prezenca u shkrinë në një skulpturë të vetme vizuale. Silueta e bardhë, e strukturuar me një prerje të guximshme dhe një rrjedhshmëri elegante, u interpretua nga shumë media si një nga daljet më të forta të mbrëmjes, duke e kthyer Olandrian në një nga figurat më të komentuara në tapetin e kuq.

RevoKult kontaktoi stilistin Raci për të zbuluar më shumë rreth kësaj ngjarje të bujshme të Hollywood dhe zbuluan disa detaje të veçanta të procesit nëpërmjet të cilit artisti ka kaluar deri në tapetin e kuq.

Intervistë ekskluzive me Pajtim Racin (Revokult)

Aldo Mustafa: Si lindi bashkëpunimi me Olandrian për këtë event kaq të rëndësishëm?
Pajtim Raci:
 Olandria është një ndër emrat më të spikatur të momentit sa i përket influencës në modë, e vlerësuar nga shumë brende ndërkombëtare. Sa i përket kontaktit, kemi pasur bashkëpunime të mëhershme me stilistët e saj, të cilët na kontaktuan për ta veshur në Vanity Fair Oscar Party 2026.

Aldo Mustafa: Si u zhvillua më tej procesi kreativ?
Pajtim Raci: Më pas, bashkëpunimi vazhdoi bazuar në kërkesat dhe vizionin e tyre për mënyrën se si dëshironin ta prezantonin Olandrian në këtë event.

Aldo Mustafa: Çfarë koncepti kishit për veshjen?
Pajtim Raci: Ne propozuam disa ide të ndryshme dhe përzgjodhëm dy veshje për realizim. Koncepti ishte të krijonim diçka të personalizuar, krejtësisht ndryshe nga çfarë është parë deri më tani, një look që reflekton një “goddess” moderne, shumë sensuale, duke vënë në pah bukurinë e saj në mënyrë elegante.

Aldo Mustafa: Sa kohë zgjati realizimi dhe si ishte bashkëpunimi me ekipin e saj?
Pajtim Raci: I gjithë procesi zgjati rreth dy javë. Ekipi i saj ka qenë jashtëzakonisht bashkëpunues dhe mbështetës gjatë gjithë kohës. Kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm dhe ata kanë bërë një punë të mrekullueshme me styling-un, flokët dhe makeup-in.

Aldo Mustafa: Një nga detajet më të komentuara ishte bizhuteria. Mund të na tregoni më shumë?
Pajtim Raci: Pjesa e hapur në shpinë e theksonte në mënyrë perfekte diamantin prej 10 milionësh, duke e bërë atë të dukej edhe më spektakolar.

Aldo Mustafa: Çfarë pritet më tej nga Pajtim Raci?
Pajtim Raci: Sa i përket të ardhmes, presim me shumë entuziazëm që të veshim edhe yje të Hollywood-it në Met Gala.

Një nga elementët më të diskutuar të paraqitjes ishte padyshim pjesa e pasme e veshjes, e hapur në mënyrë strategjike për të vënë në pah një varëse spektakolare me vlerë rreth 10 milionë dollarë. Ky detaj jo vetëm që shtoi dimensionin e luksit, por e ktheu të gjithë paraqitjen në një moment teatral të mirëkalkuluar, ku moda dhe bizhuteria dialogonin në mënyrë perfekte.

Jehoja e kësaj daljeje u reflektua menjëherë në mediat ndërkombëtare, të cilat e vendosën Olandrian në qendër të diskursit të modës. Essence vuri në dukje se, ndërsa Oscars festojnë artin kinematografik, festa e Vanity Fair është vendi ku moda merr vëmendjen e saj të vërtetë, duke e përfshirë Olandrian mes atyre që “e kuptuan në mënyrë perfekte këtë rol”. Në të njëjtën linjë, Teen Vogue e renditi atë ndër emrat që përcaktuan estetikën e mbrëmjes, duke e përfshirë në trendin që po cilësohet si “blueprint” i ri i tapetit të kuq.

Vlerësimet vijuan edhe më tej, me La Mode që e cilësoi paraqitjen e saj si një moment “white-hot” që tërheq vëmendjen menjëherë, duke theksuar siluetën e skulpturuar dhe dramatikën elegante të veshjes. Edhe Vogue e përforcoi këtë perceptim, duke e përshkruar Olandrian si një nga figurat më të nxehta të tapetit të kuq të kësaj nate.

Nga ana tjetër, E! News u fokusua te detajet e luksit, duke e përshkruar varësen si një element të denjë për një “mbretëreshë”, ndërsa vetë Olandria pranoi me sinqeritet se pesha dhe vlera e saj e kishin bërë të ndihej në tension gjatë gjithë natës. Extra TV e përmblodhi efektin e saj me një frazë që u bë virale, duke theksuar se prezenca e saj ishte një kombinim i pakontestueshëm i fizikut dhe karizmës. Në të njëjtën frymë, Glamour South Africa e vendosi Olandrian në qendër të vëmendjes, duke e përdorur si imazh përfaqësues të një nate ku yjet nga muzika, televizioni dhe kinemaja konkurronin për vëmendje.

Në këtë kontekst, suksesi i kësaj paraqitjeje shkon përtej një momenti individual. Ai shënon një tjetër hap të rëndësishëm për stilistin nga Kosova, Pajtim Raci, i cili po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një emër me peshë në skenën ndërkombëtare të modës. Me ambicie të qarta për të depërtuar edhe më tej, ai shprehet se synimi i radhës është veshja e yjeve të Hollywood-it në Met Gala, një nga skenat më prestigjioze të modës në botë.

Nëse Vanity Fair Oscar Party 2026 ishte një provë e fuqisë së tij krijuese, atëherë ajo që vjen më pas mund të jetë momenti kur emri i tij do të vendoset përfundimisht në hartën globale të modës.