Vrasja e paqëllimshme është vepra penale që dyshohet për vdekjen tragjike të shqiptarit Ledjan Imeraj, në flakët e një institucioni për të mitur në fund të vitit 2022.

Me sa duket, rreziku i zjarrit nuk është vlerësuar në mënyrë të mjaftueshme dhe hetimet shtesë sollën prokurorët në një proces të ri ku kanë marrë nën hetim të paktën 3 persona.

“Rai News” informon se ekzistojnë tre kërkesa për ngritje padie për vdekjen e Ledjan Imerajt, 17-vjeçarit që vdiq në zjarrin në qendrën e të miturve të menaxhuar nga Kooperativa Aedis në Pasian di Prato, natën midis 30 dhe 31 dhjetorit 2022.

Më 7 maj, përfaqësuesi ligjor i kompanisë, Michele Lisco, kreu i shërbimit të parandalimit dhe mbrojtjes së kooperativës, Marco D’Ambros, dhe pronari i SD Security Dealer, Gianni Mainardis, thirren të paraqiten para gjyqtares së seancës paraprake Giulia Pussini.

“Ata do të duhet të përgjigjen për vrasje të paqëllimshme, në veçanti, për akuzën se nuk e kanë vlerësuar në mënyrë adekuate rrezikun e zjarrit dhe nuk e kanë trajnuar në mënyrë adekuate operatorin në detyrë, i cili ishte midis personave të hetuar fillimisht dhe tani është një nga palët e dëmtuara”, informon media në fjalë.

Flakët shpërthyen në katin e parë në orën 02:00 të mëngjesit më 31 dhjetor.

Përveç Ledjan Imerajt dhe punëtorit (i cili pësoi disa djegie ndërsa përpiqej të shpëtonte fëmijët), një tjetër fëmijë që qëndronte atje u shtrua në qendrën e djegieve në Verona, për lëndime të pësuara pasi shpëtoi veten duke rënë nga dritarja e kuzhinës.