Tre raste kontrabande janë goditur sot (19 mars) në Korçë.
Policia Kufitare njofton se pas kontrolleve bashkë me Doganën në Kapshticë, evidentuan dhe prangosën 2 persona, tregtarë dhe proceduan penalisht një të tretë.
Ata akuzohen për kontrabandë mallrash dhe medikamentesh nga Greqia.
Gjithashtu një nga të arrestuarit u paraqit në pikë kalimi duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi.
Sekuestrohen një sasi me medikamente mjekësore të kontrabanduara nga Greqia, disa bombola me gas freon, dy automjete dhe një celular.
Njoftimi i Policisë Kufitare:
“Shërbimet e Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore të siguruara në rrugë operative, në hyrje të RSH-së:
-Gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me shërbimet doganore, në vijën e dytë të automjetit me drejtues shtetasin I. Ç., 47 vjeç, banues në Greqi, i gjetën një sasi me medikamente mjekësore, pa dokumentacionin përkatës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia me medikamente, automjeti dhe një aparat celular. Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë arrestuan në flagrance 47-vjeçarin për veprën penale “Kontrabanda me mallra të licencuara”.
Gjithashtu në dalje të Republikës së Shqipërisë po nga këto shërbime, u goditën 2 raste të tjera të paligjshmërisë konkretisht:
-Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë të automjetit me drejtues shtetasin R. P., 45 vjeç, banues në fshatin Sul, Devoll si dhe nga verifikimi i dokumentacionit, rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin pa leje drejtimi. Veprimet e mëtejshme për këtë rast i kryen specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, të cilët arrestuan në flagrancë 45-vjeçarin për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
-Gjatë kontrollit të ushtruar në bashkëpunim me shërbimet doganore, në vijën e dytë të automjetit me drejtues shtetasin E. K., 63 vjeç, banues në Korçë, iu gjetën të fshehura në bagazh, disa bombola me gas freon (gas frigoriferi), të padeklaruara në autoritetet doganore, të dyshuara të kontrabanduara. Bombolat e gazit dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit të DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për 63-vjeçarin për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme”.





