Punonjësit e Policisë së Shkodrës kanë ndërhyrë menjëherë dhe duke rrezikuar jetën e tyre, kanë shpëtuar një 59-vjeçare që ishte hedhur në ujërat e lumit Buna me qëllim vetëmbytjeje.
“Rreth orës 09:30, në Sallën Operative është marrë njoftimi për ngjarjen dhe shërbimet e Patrullës së Përgjithshme kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Efektivët e Policisë kanë hyrë në ujë dhe kanë arritur të nxjerrin nga lumi shtetasen V. T., 59 vjeçe, në gjendje të rëndë, por me shenja jete.
Pas nxjerrjes nga uji, policët i kanë dhënë ndihmën e parë, ndërsa ajo është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor”,- njofton policia.
Policia vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.





