Pas deklaratës së Romeo Veshaj, i cili u shpreh se marrëdhënia me Heidi Bacin zgjati vetëm gjatë qëndrimit në Big Brother VIP Albania dhe për rreth tre muaj jashtë shtëpisë, duke theksuar se ndarja erdhi me respekt, ka ardhur edhe reagimi publik i moderatores.
Sot gjatë emisionit “Wake Up”, Heidi Baci ka sqaruar këndvështrimin e saj, duke theksuar se heshtja e saj deri më tani është keqinterpretuar.
“Kam frikë se heshtja ndonjëherë merret si pohim. Jam mërzitur dhe lënduar nga mënyra si është folur për ish-marrëdhënien time,” u shpreh ajo.
Baci kundërshtoi drejtpërdrejt idenë se lidhja ka qenë thjesht “3-mujore”, duke theksuar se për të ka qenë një marrëdhënie me ndjenja reale dhe përkushtim.
“Nga këndvështrimi im nuk ka qenë një gjë 3-mujore kështu si u paraqit. Ka pasur sakrificë, përkushtim dhe ndjenja. Për mua ka qenë shumë e rëndësishme,” tha ajo, shkruan VoxNews.
Ajo u ndal edhe te komentet dhe batutat në media, të cilat i cilësoi si fyese, duke theksuar se nuk i pëlqen që të tjerët të flasin në emrin e saj apo të minimizojnë një marrëdhënie që, sipas saj, ka qenë reale.
Heidi Baci gjithashtu hodhi poshtë pretendimin se ndarja ka qenë plotësisht me mirëkuptim, duke lënë të kuptohet se situata ka qenë më e vështirë nga sa është paraqitur publikisht.
“Jo, ndarja nuk ka qenë edhe me aq respekt sa është shitur. Kam qenë në një situatë të komplikuar dhe të papritur,” u shpreh ajo.
Në fund, ajo theksoi se nuk ka qëllim të krijojë konflikt apo të “baltosë” askënd, por kërkoi që secili të flasë vetëm për veten dhe të respektojë këndvështrimet personale.
Deklarata e Heidit:
“E kam menduar shumë këtë fundjavë, ndoshta është e nevojshme që ndonjëherë të jap një sqarim. Kam frike se heshtja ndonjëherë merret si pohim. Disa gjëra që thuhen, nuk janë fare ashtu siç i mendoj unë. Jam mërzitur, jam lënduar për si është është folur për ish marrëdhënien time. Nuk më pëlqejnë kur të tjerët flasin për këndvështrimin tim, ose hesht ose më mirë mos devijo, sepse aty më duket sikur i tall njerëzit të cilët kanë suportuar. Nga këndvështrimi im nuk ka qenë një gjë 3 mujorshe, kështu si u paraqit, por nga ana ime, unë do flas gjithmonë vetëm për veten time. Gjithmonë ka pasur sakrificë, ka pas përkushtim, ka pas ndjenja edhe gjithë gjërat.
Për sa i përket pastaj dhe pjesës së 2 orëshit, 3 orëshit, 3 mujoreshit. Kjo tallje… unë nuk e di pse 2 gazetarë që nuk ua njihja ekzistencën të flasin ashtu. Nuk më pëlqeu mu duk shumë fyese dhe ajo.
Marrëdhënia ime për mua ka qenë shumë e rëndësishme. Nuk do të tallesha kurrë me ndjenjat e të tjerëve, publikut që më ka mbështetur dhe sidomos me të miat. Çdo gjë ka qenë shumë reale, absolutisht. Është bërë një premtim që unë nuk doja të flisja, sepse realisht ka qenë një gjë shumë e rëndësishme për mua, që nuk mund të ishte ushqim mediash. E kuptoj pse thuhen disa batuta dhe unë nuk e kam absolutisht me kush e ka thënë, por problemi qëndron te personi i cili i lejon këto batuta.
Marrëdhënia ka qenë e rëndësishme për mua dhe jo, ndarja nuk ka qenë edhe me aq respekt sa është paraqitur, sa është shitur. Unë jam gjendur në një situatë të komplikuar, të papritur, të vështirë. Për respekt të asaj që kam kaluar unë, se sado që njeriu mund të heshtë, mund ta mbaj bukur, nuk do të thotë që nuk peshon. Nuk mendoj që është mënyra e duhur, por gjithsesi secili duhet të flasi për veten e vet. Ky është vetëm këndvështrimi im.
Për nga ana tjetër nuk ka asnjë problem të jetë kështu, të jetë thjesht një eksperiencë, asnjë lloj problemi. Unë nuk jam këtu për të baltosur. Urrejtja nuk më pëlqen në mënyrë absolute. Por secili të mbajë vendin e vet dhe këndvështrimet e veta.
Se çfarë kam ndierë unë, çfarë kam thënë unë, e di unë. Distancohen kategorikisht nga çdo lloj deklarate që mund të jepet në emrin tim.
Për palën tjetër të jetë si të jetë, nuk ka rëndësi, s’ka asgjë të keqe. Ka njerëz që kanë dashur sportin, ka njerëz që kanë dashuri ekranin, gjithë gjërat unë për veten time nuk janë pjesë e kësaj gjësë.
Kam vepruar me emocion dhe e them me sinqeritetin më të madh.





