Kroacia ka vendosur të rikthejë karantinën 14 ditore për vizitorët nga katër fqinjët e saj të Ballkanit pas asaj që po shihet praktikisht si një valë të dytë e koronavirusit në rajon.
Udhëtarëve nga Bosnja, Serbia, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, do t`i duhet të izolohen për dy javë pas mbërritjes në Kroaci. Këtu do të bëjnë përjashtim udhëtarët e tranzitit, sqaroi ministri i brendshëm kroat, Davor Bozinoviç.
Në fund të majit, Kroacia i hapi kufijtë e saj për dhjetë vende të BE-së, përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Estoninë. Që nga mesi i majit, vendi pothuajse nuk kishte regjistruar më infeksione, por situata u përkeqësua papritur javën që shkoi kur vendi nisi të raportonte deri në 30 raste të reja me COVID-19 në ditë.





