Sot, 24 mars, shënohet përvjetori i 27-të i nisjes së bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë.

Bombardimet nisën më 24 mars 1999 dhe zgjatën 78 ditë. Ato nisën pas përpjekjeve të dështuara të komunitetit ndërkombëtar për ta bindur ish-liderin serb, Sllobodan Millosheviq për një armëpushim.

“Nëse presidenti [jugosllav Sllobodan] Millosheviç nuk është i gatshëm të bëjë paqe, ne jemi të gatshëm t’i kufizojmë aftësitë e tij për të bërë luftë kundër kosovarëve”, pati thënë presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Clinton.

Gjatë fushatës ajrore, shkatërrime ose dëme të rënda pësuan kazerma dhe njësi ushtarake në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, ashtu si edhe sisteme të komandës dhe kontrollit, sisteme të mbrojtjes ajrore, infrastruktura të energjisë dhe komunikimit etj.

Në përmbyllje të fushatës, presidenti Clinton deklaroi se kërkesat e komunitetit ndërkombëtar ishin përmbushur, përfshirë: tërheqjen e forcave serbe nga Kosova, vendosjen e një force të sigurisë të udhëhequr nga NATO-ja dhe kthimin e kosovarëve në shtëpitë e tyre.

“Mund t’i raportoj popullit amerikan se kemi shënuar fitore, për një botë më të sigurt, për vlerat tona demokratike dhe për një Amerikë më të fortë”.

Bombardimet u ndalën një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Me këtë marrëveshje, të negociuar ndërmjet NATO-s dhe zyrtarëve ushtarakë jugosllavë, forcat jugosllave u tërhoqën nga Kosova dhe u krijua forca paqeruajtëse ndërkombëtare, e udhëhequr nga NATO-ja.

Beogradi kishte 11 ditë kohë për t’i zhvendosur 40 mijë forcat e tij të sigurisë jashtë Kosovës.

KFOR-i, misioni paqeruajtës i udhëhequr nga NATO-ja, filloi dislokimin më 12 qershor, 1999. Fillimisht përbëhej nga rreth 50 mijë trupa, për të arritur në 4 767 trupa sot, nga 33 vende të botës.

Lufta përfundoi me rreth 13 mijë njerëz të vrarë; me mijëra të zhdukur, mbi 1 600 prej të cilëve mbeten ende të pagjetur; me qindra mijëra refugjatë, shumica e të cilëve u kthyen; dhe me mijëra prona të dëmtuara ose të shkatërruara./Marrë nga REL