Këtë të martë, 24 mars, shënohet 27-vjetori i fillimit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë në rajon.
Me këtë rast, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka theksuar rëndësinë e këtij momenti dhe ndikimin e tij në të ardhmen e Kosovës.
Në një reagim në “X”, Hoxha thotë se ndërhyrja e NATO-s përmes Operacionit Allied Force ishte vendimtare për ndalimin e dhunës dhe spastrimit etnik kundër shqiptarëve në Kosovë nga regjimi i Slobodan Milošević.
“27 vjet më parë, bota zgjodhi të mos qëndronte indiferente”, shkruan Hoxha, duke vlerësuar se ky ishte një moment kur “dinjiteti njerëzor mbizotëroi mbi frikën” dhe kur veprimi ndërkombëtar bëri diferencën për jetët e pafajshme.
Twenty-seven years ago, the world chose not to look away.
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) March 24, 2026
NATO launched Operation Allied Force to halt the brutal campaign of violence and ethnic cleansing carried out by Slobodan Milošević against #Albanians in #Kosovo.
It was a defining moment, when human dignity prevailed… pic.twitter.com/9HokcjslSC
Ai kujton gjithashtu rolin e Shqipërisë gjatë asaj periudhe, duke theksuar hapjen e shtëpive dhe institucioneve për pritjen e refugjatëve, si një akt solidariteti dhe humanizmi.
Sipas tij, sot Kosova është një shtet i lirë dhe i pavarur, që ka bërë përparim të qëndrueshëm në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e rolit të saj në rajon.
Hoxha thekson se Shqipëria, si anëtare e NATO-s, mbetet e përkushtuar ndaj vlerave të Aleancës, e cila sipas tij “ndali vdekjen dhe riktheu shpresën, dinjitetin dhe lirinë në Kosovë”. Rruga e Kosovës, sipas tij, vazhdon drejt integrimit në familjen euro-atlantike, e mbështetur mbi parimet e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.





