Aktori i njohur Orlando Bloom thuhet se ka nisur një lidhje të re me modelen 28-vjeçare Louisa Lemel, pas ndarjes nga këngëtarja Katy Perry.
Sipas mediave të huaja, Bloom dhe Lemel kanë qenë duke u takuar që prej vitit të kaluar, duke e mbajtur marrëdhënien e tyre larg vëmendjes së publikut. Burime pranë çiftit bëjnë me dije se ata së fundmi kanë zhvilluar një udhëtim në Cyrih, ku kanë qëndruar në një suitë luksoze hoteli dhe më pas kanë kaluar fundjavën në resortin prestigjioz Bürgenstock Resort.
Raportohet gjithashtu se aktori është takuar me disa nga familjarët dhe miqtë e modeles, duke treguar se lidhja mes tyre po bëhet gjithnjë e më serioze.
“Orlando dhe Louisa janë takuar në mënyrë diskrete për disa muaj. Ata janë bërë si një familje e vogël dhe e lidhur ngushtë”, është shprehur një burim, duke shtuar se pavarësisht distancës, pasi ai jeton në Los Angeles dhe ajo në New York, mes tyre ekziston “kimi e vërtetë”.
Thashethemet për romancën e tyre nisën muajin e kaluar, kur u panë duke u larguar së bashku nga eventi sportiv Super Bowl në Kaliforni.
Kujtojmë se Bloom u nda nga Katy Perry në vitin 2025, pas nëntë vitesh lidhje. Ish-çifti kanë së bashku një vajzë pesëvjeçare, Daisy.
Ndërkohë, Louisa Lemel ka studiuar psikologji dhe ka bashkëpunuar me marka të njohura si Calvin Klein, Maybelline dhe YSL Beauty.





